Flash News
Shtyhet sërish procesi për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Gentian Gaba
Edi Rama është aktori më i madh që ka shkelur ndonjëherë në skenën politike shqiptare. Tashmë i kemi parë të gjitha “hijet” e repertorit të tij; ofshamat në studion e Eni Vasilit, me sy të përlotur dhe zë të ngjirur; gërthitjet plot mëri në studion e Rudina Xhugnës dhe, së fundmi, virtuozizmat përballë Çanit.
Një esnaf i ekranit, sigurisht i lehtësuar nga “dashamirësia” e të zotëve të shtëpisë (ata në studio dhe ata në katet e sipërme të televizioneve), që me artin e tij kërkon, në një raport të drejtpërdrejtë me audiencen e votuese, një ndarje të thellë midis vetes (në rolin e Kryeministrit) dhe të tjerëve (kundërshtarët e tij politik). “
“Unë jam këtu për t’iu mbrojtur nga kjo lukuni që kërkon të marrë peng të ardhmen tuaj” – thoshte duke i ngulur sytë nga kamerat. Një interpretim plot patos, që në fakt kamuflon një qasje tribale me rrënjë fashiste, e cila kërkon të nxisë konfliktualitetin me gjuhën luftarake të: Ne kundër atyre!
Mirëpo, a është realisht Rama përfaqësuesi i vlerave të nevojshme për t’u bërë korife i një “NE”, që brenda mbart atë dhe gjithë shqiptarët?
Sigurisht që jo.
Këtë nuk e thonë vetëm njohësit e “artit të zi” të propagandës Ramiane; por të gjithë ata që në mënyrë empirike kanë ndjekur karrierën e tij në këto dy dekada, dhe veçanërisht në këto pesë vite e gjysmë qeverisje.
Nuk kemi nevojë të shkojmë larg në kohë për të gjetur shembuj që ndajnë në mënyrë të qartë aktorin nga politikani. Për ekonomi leximi po marrim vetëm dy.
I pari është i freskët, i ditës. Bëhet fjalë për përgjimet e publikuara pak orë më parë nga “Zëri i Amerikës”; të cilat çorën maskën e Ramës dhe rrëzuan retorikën e tij mbi konkurset në administratë. Me urdhër nga deputetë, por edhe nga kabineti i kryeministrit, orientoheshin punësimet në Drejtorinë e Burgjeve. Dikush do të thotë se “kjo është një plagë e vjetër e politikës shqiptare”; veçse këto fakte bëhen publike vetëm tre ditë pas prezantimit të “Platformës për punësimin e studentëve ekselentë”.
I dyti është ai i 5 korrikut të vitit të shkuar; kur, pas një seance maratonë, mazhoranca socialiste votoi me 75 vota projektligjin që i hap rrugën negociatave me kompaninë “Fusha” sh.p.k” për të zhvilluar truallin e Teatrit dhe rrjedhimisht shembjen e godinës. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm të artistëve, qytetarëve dhe shoqërisë civile, socialistët e votuan në rresht projektligjin kontrovers. Një ligj special që, pa hyrë në aspekte të tjera shumë të rëndësishme, shkelte, edhe sipas BE-së, lirinë e garës. Pra cenonte lirinë ekonomike, një princip kushtetues i patjetërsueshëm. Sot, e njëjta mazhorancë, e drejtuar nga i njëjti kryeministër, po udhëheq një betejë publike, atë mbi të drejtën e kreut të shtetit për të refuzuar ose jo dekretin për një anëtar të qeverisë, në mbrojte të së njëjtës Kushtetutë, që shkelën në 5 korrik 2018.
Ndonëse në mungesë të arbitrit, Gjykatës Kushtetuese, kjo përballje është kthyer në një garë se kush bërtet më shumë; inkoherenca e “përdhunuesit”, që shndërrohet në “shpëtimtar”, kërciti fuqishëm në opinionin publik, dhe e detyroi të parin e qeverisë të ndjekë një tjetër strategji. Duke u shumëzuar me veten, sot mori edhe postin e ministrit të Jashtëm.
Me këtë Ramë në “katror”, që sigurisht tingëllon një zgjedhje më e ndershme sesa përdorimi i bedelëve, sa për sy e faqe; dhe një Qeveri anonimësh që shërben vetëm për sfilaten mbi kubin ndriçues të klubit të “Rilindjes”, e ardhmja ngjason me një shfaqje pa tekst.
Një fushë ku dominon improvizimi dhe pasiguria; në të cilën, ai që të premten zotohej se do të mbronte shqiptarët, nuk është gjë tjetër veçse prijësi i lukunisë që ka marrë pengë të ardhmen e tyre.