Flash News

KRYESORE

Rama në Librazhd: Në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë 4-fishin e atyre që kemi bërë

Rama në Librazhd: Në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me banorët e Librazhdit.

Kreu i qeverisë theksoi se Partia Socialiste është partia e vetme që mund të rrisë ekonominë e vendit.

“Po premtojnë ulje taksash, por pa rritur ekonominë, të gjitha të tjerat janë broçkulla. Vetëm Partia Socialiste mund ta rrisë ekonominë sepse është e vetmja forcë që ka vizion kombëtar për shqiptarët, një vizion europian për fëmijët tanë dhe program real për zhvillimin e vendit”, deklaroi Rama.

“Jam shumë i bindur që në 25 qershor, do të lihen në shtëpi flamujt e partive dhe në qendrat e votimit do të votohet kuqezi. Jam shumë i bindur që çdo prind demokrat do të votojë për të vazhduar të fuqizojmë arsimin për fëmijën e tij dhe jo për t’i gjetur Lulit një punë që nuk e bën dot”, shtoi kryeministri.

Më tej, Rama bëri edhe një premtim: “U them atyre që na kanë votuar në vitin 2013 se nuk kemi bërë sa duhet, por sa kemi mundur. Por, nëse na jepni fuqi të plotë, në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë 4-fishin e atyre që kemi bërë në këto 44 muaj”.

“Siç luftuam dhe fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë. Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur, nëse Partia Socialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave. Për Shqipërinë që duam me shtet, punë, mirëqenie”.

Rama tha se,  këto zgjedhje janë një moment historik për të vendosur nëse do të bëhet një shtet serioz me administratë serioze, apo një shtet partish me administratën të ndarë si tepsi.

Të fundit