Flash News

KRYESORE

Rama niset drejt Samitit të NATO-s, a do të ketë një takim me Donald Trump?

Rama niset drejt Samitit të NATO-s, a do të ketë një takim

Edi Rama justifikohet gjithmonë për deklaratat e forta kundër Donald Trump. I quan ato akuza kundër kandidatit për president, jo kundër vetë presidentit.

Por a i besojnë këto në Shtëpinë e Bardhë? A do të kenë pasoja thëniet e Ramës në CNN? Kjo është për t’u parë në shansin e parë që ka Rama për të qenë pranë Donald Trump.

Të dy do të jenë në të njëjtën sallë në Bruksel, në samitin dy ditor të NATO-s. Mbetet për t’u parë, nëse për Trump, Edi Rama do të jetë një nga përfaqësuesit e papërfillshëm të shteteve të vogla, siç është Shqipëria. Apo Donald Trump do të rikujtohet për fytyrën e Ramës në CNN, si një nga pak drejtues shtetesh, që guxuan të ndërhyjnë në mes të fushatës, për ta sulmuar, siç u tha atëherë, të sponsorizuar nga Xhorxh Soros. Ambasada amerikane në Tiranë nuk e komentoi asnjëherë veprimin e Edi Ramës asokohe. Është e paqartë se me çfarë syri e sheh administrata e re, kryeministrin tonë.

Për një shtrëngim duarsh me një president amerikan, Edi Rama është gati të bëjë shumë. Kjo është e qartë nga hetimet që u bënë për fotografinë e Edi Ramës me Barak Obamën, për të cilën dyshohet se u paguan 80 mijë dollarë.

Vlen të theksohet se në samitin e NATO-s në Bruksel, Edi Rama udhëton si kryeministri i një vendi që ofron stabilitet në rajon. Që pas daljes së opozitës nga çadra, situata politike është stabël edhe brenda vendit.

Vetingu mund të quhet një detyrë e përmbushur, ndërsa askush nuk po flet më për tonelatat me kanabis. Pak ditë më parë, në vend ta thërriste Edi Rama, opozita e quante Noriega.

Në Samitin e NATO-s pritet që Donald Trump t’i bëjë thirrje vendeve anëtare të shtojnë kontributet. Shqipëria është një nga vendet që kontribuon më pak brenda aleancës, megjithatë vendi ynë ka kontribuar në misionet luftarake në Afganistan dhe Irak.(GSH)

 

Të fundit