Flash News

KRYESORE

Rama, një p…me atlete

Rama, një p…me atlete

Alfred Lela

Në Samitin për Ballkanin, të mbajtur në Britaninë e Madhe, ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Londra, kryeqyteti perandorak i Mbretërisë së Bashkuar, dielli në të cilën dikur thuhej se nuk perëndonte kurrë, është një metropol i madh dhe i çuditshëm. Duke qenë qendra e një vendi që, me referendum popullor, i tha ‘Jo’ Europës së Bashkuar, duke shënuar një Brexit që e ka plagosur ëndrrën europiane, nuk do të thotë se shpërfill takime të tila që kanë në qendër pikërisht të njëjtën ëndërr, samitin e Ballkanit Perëndimor.

Duke qenë kryeqyteti i një monarkie, mbetet kryesisht një qendër e madhe e vlerave konservatore në botë. Duke qenë një prej ‘zemrave të botës’, një term i Zhak Atali, me gjasë më shumë se njëherë gjatë cikleve të zhvillimit të 6 shekujve të fundit, ajo mund t’ia falë vetes kreninë e thënies se ‘i ka parë dhe dëgjuar të gjitha’.

Përfshirë këtu edhe një ‘tip’ si Edi Rama i cili beson te fuqia e ideve por, kur nuk e ka forcën për t’u shprehur nëpërmjet tyre, i beson apo i dorëzohet asaj që quhet fuqia e imazhit, e paradokseve apo e dukjes pa gjë brenda.

Nuk ke se si, kur prodhon një përfundim të tillë, në dukje kategorik, të mos bësh pyetjen ‘çfarë janë një palë atlete’?

Në kuptimin dhe përdorimin e tyre më të parë ato janë a-këpucë sportive që vishen nga atletët për performancë të lartë gjatë ndeshjeve apo garave dhe, b-këpucë casual që vishen në jetën e përditshme kryesssht nga të rinjtë për të përfituar rehati në ecje. Në njëfarë mënyre, këpucët atletike janë veshmbathje të rinisë.

Ato janë edhe bartëse të statusi, jo vetëm mjete të konsumit popullor. Ata që i veshin duan të transmetojnë një vete ekstravagante, jo konservatore, vibrante, përthithëse dhe përçuese e pop kulturës, e cila mbahet në thyerjen e tabuve, barrierave, kodeve dhe një rebelim ndaj sistemit politik dhe social, përfshirë këtu sidomos brezat e shkuar dhe prindërit.

Këpucët atletike bashkë me jeans dhe t-shirt janë një triadë konsumeriste e pop kulturës që Amerika i dha botës për të shprehur lirinë e maksimës ‘everything is easy, anything goes’*.

Në këtë formë ato shprehin edhe një qëndrim politik: atë se bota është e rrafshët; konsumerizmi ka fituar; globalizmi është ideologjia e re; pop kultura është sporti më i madh botëror; e me radhë.

Kur thua këtë, automatikisht, ia mvesh këto kuptime edhe atleteve të bardha të Edi Ramës dhe qëllimit se pse i veshi ato në një samit politik zyrtar, në një nje prej qendrave të perandorive të mëdha të së skuarës dhe metropoleve të shkëlqyera të së tashmes, si Londra.

Megjithatë, nëse kemi lirinë e të pyeturit ‘çfarë janë një palë atlete?’, mund të pyesim edhe ‘kush është Edi Rama?’. Më saktë, a është ai politikani dhe shtetari që mundet që të përçojë, me anë të atleteve të veta, gjithçka ato përçojnë, si për shembull globalizmi, konsumerizmi, pop kultura, e me radhë?

Që të plotësojë këto kushte apo prerogativa, ai duhet të jetë ose një prej kryetarëve të shteteve të mëdha që e udhëheqin globalzmin dhe kulturën konsumeriste, si psh Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në rastin tjetër ai mund të ishte kreu i një prej vendeve të tilla si Kuba, Venezuela apo Koreja e Veriut, që ka vendosur t’i ikë uniformitetit totalitar edhe në veshje si dhe qëndrimeve anti-amerikane dhe anti-globaliste dhe të përqafojë ‘të gjitha të këqijat e kapitalizmit’, përfshirë konsumerizmin.

Duke qenë se Edi Rama dhe Shqipëria nuk janë, as prodhues apo proselitë të pop kulturës, dhe as të konvertuar rishtas të saj, atletet-me-kostum në një samit zyrtar nuk krijojnë asnjë risi dhe asnjë shtampë, ato janë thjesht nevoja bërtitëse e bartësit të tyre për të rënë në sy. Për të thënë ‘hey, ja ku jam!’. Nuk më mjafton as gjatësia. Vini re!

Edi Rama mbante atlete në Samitin e Londrës, sepse ai nuk kishte asnjë ide. Ai donte të krijonte zhurmë, sepse nuk përcillte dot asnjë tingull.

Për të ardhur keq që Kryeministri i Shqipërisë e ka lëshuar veten në sound bite-in vulgar të pjeshkave të show bizit, shqiptar apo botëror, të cilat sa herë e kapin (me nuhatje, jo mençuri) se vëmendja është larguar prej tyre, heqin V-në e fundit të trupit, një gisht mbathje, për dy gisht fitore (V) për të kapur edhe njëherë, qoftë edhe te fundit, vëmendjen e luhatshme dhe rrëshqitëse të publikut të pop kulturës.

Këtë 'fitore' na solli nga Londra Kryeministri ynë.

Ai nuk ka pussy për t’i hequr mbathjet, por ka zbuluar se atletet janë p…i pasarelave politike.

 

 

Të fundit