Flash News

OP-ED

Rama nuk do Erdoganin, por modelin e tij qeverisës

Rama nuk do Erdoganin, por modelin e tij qeverisës

Naum Mara

Në një shkrim të djeshëm të analistit Mero Baze, të titulluar “Erdogani si dublant i drogës, kundër negociatave” theksohet se afrimi i Ramës me Erdoganin po përdoret nga opozita si mjet për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, pasi dështoi propaganda e kanabizimit të vendit, ose ajo e lidhjes së Tahirit me trafikantët e drogës.

Le të pranojmë për një çast se konkluzioni i Bazes është i drejtë dhe nuk ndikohet nga qëndrimi i tij i theksuar anti-opozitar dhe pro-Ramë.

Sipas kësaj logjike, meqenëse gjendja ekonomike e vendit është e shkëlqyer dhe meqenëse asgjë nuk u provua në lidhjet e Tahirit dhe funkionarëve të tjerë të Policisë me trafikun e drogës, opozita nuk ka asnjë kartë tjetër për të luajtur, por veç të “trembë“ zyrtarët naivë të Brukselit, se Rama ka lidhje shumë të forta dhe të dyshimta me Erdoganin. Pra, një opozitë shqiptare miope dhe një Gjermani dhe Francë pjesërisht miope.

Në Parlamentin Europian apo edhe në parlamentet e vendeve europiane mund të ketë edhe deputetë me kulturë të pamjaftueshme, që nuk dinë se ç’është Shqipëria dhe cilat janë problemet kryesore të saj, apo edhe se ç’përfaqëson me të vërtetë Erdogani. Por shërbimet inteligjente të këtyre vendeve janë të mirëinformuar në shekuj se cila është Turqia dhe si ka ndryshuar në 100 vjetët e fundit. Sidomos ndryshimi i saj në “erën-Erdogan” është ai , që i shqetëson më së shumti.

Gjithashtu ata janë të informuar edhe se ç’ndodh në Shqipëri. Të mendosh se negociata mund të pengohen nga propaganda e opozitës, është një parapërpjekje për të justifikuar më pas një dështim të mundshëm.

Miqësia e Ramës me Presidentin turk është demonstruar hapur nga të dy palët. Ajo ka qenë jashtë kornizave të përdorura nga kryeministrat shqiptarë në 27 vitet e fundit. Ka qenë vetë Rama, që e ka përdorur si një lloj “karshillëku” ndaj Europës, “që në rast se nuk na pranoni në Europë ne do kërkojmë shtigje të tjera zhvillimi dhe orientimi”. Kryeministrit kjo lloj loje mund t’i jetë dukur edhe si zgjuarsi gjeopolitike, që sjell “para turke” në Shqipëri dhe njëkohësisht ngut Europën “të na futë në shtrat, që të mos shkojmë me jaranin turk”.

Por, kjo miqësi e tepruar, Shqipërisë i ka sjellë më shumë dëme se përfitime. Nëse duhet të themi me plot gojë se jemi europianë është shumë më mirë, që aeroporti i Vlorës të jetë një investim gjerman apo francez, se sa turk. Edhe nëse vonohet për pesë apo më shumë vite të tjera. E kështu me radhë për investime të tjera strategjike turke. Investimet nga vendet me demokraci të konsoliduar janë përherë më të sakta dhe më pak të dyshimta.

Më tepër se miqësi me Erdoganin, Rama është në dashuri me modelin e qeveritarit Erdogan.

Pikërisht këtu është edhe shqetësimi më i madh i opozitës dhe Europës.

Në një demokraci hibride si e jona, promovimi i miqësisë me Erdoganin është njëkohësisht promovim i një shtetari autokratik dhe antidemokratik.

Ashtu si “sulltani” turk, Rama po qeveris këtë vend pa përfillur shtyllat e pushtetit të një vendi demokratik. Egërsia ndaj mediave, shpërfillja e opozitës, mosrespektimi i presidentëve, presionet mbi pushtetin juridik janë disa nga karakteristikat e përsëritura të stilit së qeverisë Rama.

Ndaj dhe afrimi i tij me Erdoganin “dorëfortë“, më shumë se për  arsye gjeopolitike, nga Berlini në mënyrë të veçantë, shihet si një përqasje e Ramës ndaj një modeli antidemokratik qeverisës. Erdogani e mbylli vetë derën e Europës për Turqinë, me lojën e tij arrogante, megallomane dhe antirepublikane. Turqia e sotme mund të jetë më mirë ekonomikisht se 20 vjet më parë, por në demokraci ka shkuar 50 vjet pas.

Ashtu si për Europën edhe për ne, problemi nuk është Turqia, por Erdogani.

Ndaj “lagavitjet” e Ramës me Taipin duhen sulmuar me të gjitha forcat nga të gjitha shtresat prodemokratike shqiptare.

 

 

Të fundit