Flash News

KRYESORE

Rama nuk e do më Dakon, dy gra pretendente për bashkinë e Durrësit

Rama nuk e do më Dakon, dy gra pretendente për bashkinë e

Rikandidimi për herë të katërt i Vangjush Dakos në bashkinë e Durrësit do të ishte kosto e tepërt për Partinë Socialiste, sidomos pas përfshirjes në dosjen ‘339’, dhe kryeministri Edi Rama mesa duket e ka kuptuar këtë. Në takimin që zhvilloi disa ditë më parë, Rama nuk e rikonfirmoi Dakon, ndonëse ky i fundit e kërkoi hapur mbështetjen për të qenë sërish në krye të Durrësit.

Tashmë socialistët ndodhen në dilemë për kandidatin që do të zëvendësojë Dakon dhe strukturat po diskutojnë së fundmi emrat e dy grave. Bëhet fjalë për deputeten Milva Ekonomi dhe zv/ministrin e Brendshme, Rovena Voda.

Emrat e dy zonjave janë përfolur edhe më herët si kandidate të mundshme, por ishte mbështetja e madhe që gëzonte Ardian Çela, drejtor i OSHEE, që nuk i nxirrte ato në plan të parë. Tani që Çela ka refuzuar të kandidojë për Durrësin, epëri kanë marrë Voda me Ekonomin.

Rovena Voda, e lindur në Durrës, është emëruar zv/ministre e Brendshme që në maj të 2017-ës. Ajo është rritur dhe shkolluar në qytetin bregdetar, si dhe ka ushtruar atje aktivitetin e saj si juriste në disa institucione private dhe shtetërore.

Milva Ekonomi ka mbajtur postin e ministres së Ekonomisë në qeverinë e parë të Edi Ramës, ndërkohë që lidhja me Durrësin duket se u bë më e fortë në zgjedhjet e 2017-ës, ku së bashku me Eglantina Gjermenin, udhëhoqën listën e PS-së në këtë qark.

Por zyrtarizmi i kandidatit të PS nuk pritet të bëhet tani afër, pasi zhvillimet do të varen nga vendimi i opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër.

Të fundit