Flash News

KRYESORE

Rama nxjerr mesazhet e ndërtuesve pas ultimatumit: Më kanë çuar lloj-lloj bishtash

Rama nxjerr mesazhet e ndërtuesve pas ultimatumit: Më kanë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish herët në mëngjes Këshillin e Ministrave, për situatën e pas tërmetit.

Që në nisje të takimit, Rama u ka përcjellë sërish një ultimatum ndërtuesve të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Madje, pas thirrjeve për të marrë përsipër përgjegjësitë, Rama tha se disa prej tyre i kanë dërguar SMS, me pretekstin se kanë falimentuar.

“Prokuroria të nxjerrë fajtorët, ndërtuesit të mos i shmangen përgjegjësisë.

Disa më kanë çuar edhe mesazh me lloj- lloj bishtash jo jemi të falimentuar... të shesin shtëpitë e tyre, çfarë të kenë, liria është më e shtrenjtë se pasuria”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi nga kompanitë e ndërtimit në Tiranë, Durrës edhe solidaritet dhe të thirren për të dhënë kontribut për pastrimin e inerteve para krishtlindjeve.

“Të vënë mjetet e trupat që kanë në dispozicion dhe t’i spostojmë të gjitha inertet që sot janë aty si burim shqetësimi dhe mërzie në fushën e mbetjeve në Porto Romano. Po ashtu, paralelisht do të nisim transformimin e Porto Romanos”, tha kryeministri.

Rama shtoi po ashtu se Tirana dhe Durrësi duhet të ndriçohen njësoj si qytetet e tjera për atmosferën e Vitit të Ri, ndërsa duhet të alokohet fondi i pagesës për dhjetorin për ata që janë në hotel brenda kësaj jave.

“ Kalimi nga hotelet në shtëpi me qira pas Vitit të Ri, ku do qëndrojnë gjatë fazës së rindërtimit është i domosdoshëm me shpejtësi. Bashkia Tiranë dhe Durrës duhet të përfshihen sot në këtë proces”, u shpreh Rama.

Të fundit