Rama paralajmëron mediat: Ka sharlatanë që shfaqen me teori konspiracioni, mos na detyroni t’ua fik fare dritën e ekraneve

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish Këshillin e Ministrave herët në mëngjes në kuadër të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga tërmeti i dy ditëve më parë.

Për pasojë, deri tani ka shkuar deri në 39 numri i viktimave të konfirmuara, të nxjerrë nga rrënojat, kryesisht në Durrës dhe Thumanë të Krujës.

Gjatë nisjes së fjalës së tij, Rama u ndal fillimisht te një paralajmërim për mediat, që të mos lejojnë të dezinformojnë publikun me informacione të rreme në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, në të kundër tha se do të vendosë në lëvizje mekanizmat për t’ua fikur dritën e ekraneve.

“Sharlatanë shfaqen në ekrane me tori konspiracioni dhe parashikime që  marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës. Nuk është momenti për shikueshmëri, audiencë e ‘like’.  Këto janë krime të një papërgjegjshmërie absolute që cenojnë jetën e përditshme të njerëzve dhe bien ndesh me standardin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ju bëj thirrje duke besuar se i bëjnë nga mungesa e reflektimit dhe jo nga ndonjë qëllimi të keq, që të mos na detyrojnë të vëmë në lëvizje mekanizma të jashtëzakonshme për tu fikur fare dritën e ekraneve dhe pasqyrave të tyre, është e papranueshme, jo njerëzore, në kushtet kur njerëzit ikin nga shtëpitë nga zona ku ka rënë fatkeqësia, informacionet e rreme, ata që kanë përgjegjësi e t’i shfaqen publikut si informues të përfshihen në këtë lloj veprimtarie që nuk ka pikën e sensit njerëzor.

Ju lutem, të kontribuojnë sa të munden për të qetësuar shpirtrat e njerëzve dhe me informacion racional, kjo është kohë për psikologët, jo astrologët”, tha kryeministri.