All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Rama po zhvillon luftën e vetme që i ka mbetur

Rama po zhvillon luftën e vetme që i ka mbetur
All - Paragraf - 1

Fitim Zekthi

All - Paragraf - 3

Jean Baudrillard thotë se nga nevoja e jashtëzakonshme e pushtetit për të prodhuar informacion dhe për të përcjellë mesazhe me anë të tij, pushteti arrin në një pikë që bëhet qesharak. Kjo përpjekje masive për të prodhuar informacion në momentet që fasada e pushtetit rrëzohet, degradon në injektimimin e pandalshëm dhe kuturu të informacionit. Nevoja për të përcjellë doemos mesazh dhe për të mbajtur njerëzit të zënë-të zënë-të zënë që të mos iu lejosh kohë të mendojnë, siç thotë Chomsky, është aq e madhe sa entiteti në pushtet bëhet një përbindësh që më shumë dërrmon veten derisa bëhet copë për t’ia lënë vendin një entiteti tjetër.

Kjo gjë po i ndodh qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama. I zhveshur plotësisht nga fasada e ndërtuar për gjashtë vite rresht në pushtet, me anë të të cilës kërkoi t’i bindte njerëzit për diçka që nuk ishte: t’i bindte për qeverinë e ndershme që po bënte shtet, për qeverinë që luftonte varfërinë dhe korrupsionin, për qeverinë që reformoi arsimin dhe shëndetësinë, për qeverinë që “hoqi këmbën e krimit në polici”, për qeverinë që po ndërtonte “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, kryeministri dhe qeveria e tij po injekton masivisht informacion që e kthen atë vetë në përbindësh të verbër dhe qesharak që dërrmon veten.

Kështu, ministri i Brendshëm priti në zyrë policen Ina Nuka që u kurua në Turqi për dëmtimin në gishta gjatë protestës së banorëve të zonës së Astirit. Ministri i Brendshëm, duke mos shfaqur asgjë serioze prej ushtaraku njoftoi publikun duke thënë se “sot prita në zyrë Inën, të rikthyer plot forcë, energji dhe vullnet për të vazhduar shërbimin ndaj sigurisë tonë. Një model domethënës angazhimi për rininë e vendit tonë”.  Më pas, policja u prit nga kryeministri Rama (shoqërohej edhe nga ministri Lleshaj).  Kryeministri e transmetoi takimin në ERTV. Ai tha se qeveria do të bënte gjithçka që ajo të riintegrohej në polici. Kryeministri e pyeti për shëndetin dhe operacionin. I tha se do t’i jepnin para derisa të fillonte të shërbente sërish në polici. I tha se ajo ishte një police model që sakrifikoi për detyrën.

Edhe pasi u plagos në protestë policja, kryeministri e vizitoi në spital. Më pas foli për të dhe krimin që bënë demonstruesit mbi të të nesërmen. Për krimin ndaj saj foli edhe kryetari i Bashkisë, Veliaj, i cili ca nga varfëria në gjuhë dhe leksik ca nga stili komsomolas i komunikimit tha se “nuk ekziston njeri që mund të marrë për grua një vajzë pa gishta”.

Ç’ndodhi në fakt me policen Ina Nuka. Në një protestë legjitime të njerëzve të pambrojtur që po iu prishen shtëpitë në një projekt të dyshimtë, policja kapi me dorë një kapsollë që i ra në sup. Kapsolla shpërtheu dhe i dëmtoi, ose preu, gishtat e dorës.

Policja u plagos në një demostratë të popullit të saj dhe të popullit të kryeministrit të saj. Demonstrata ishte legjitime dhe e drejtë. Askush nga protestuesit nuk kërkonin plagosjen e polices dhe të askujt.

Në datën 3 dhjetor të këtij viti, presidenti Macron takoi policët në një stacion policor. Protestat kundër tij dhe qeverisë kishin një muaj që kishin nisur. Protestuesit kishin thyer dhe djegur dyqane dhe makina, kishin dëmtuar Harkun e Triumfit dhe simbolin kombëtar Marianne, ishin plagosur rreth 300 policë dhe mbi një mijë protestues (dy të vdekur). Macron nuk vizitoi asnjë polic në spital. Macron nuk priti asnjë polic në zyrë. Dhe policët nuk kishin dëmtuar gishtat. Kishte prej tyre në rrezik për jetën. Në stacionin policor ku shkoi të takoi policët ai u kërkoi atyre të ruanin vendin dhe kushtetutën, i pyeti se çfarë mungesash kishin, çfarë duhet në këtë situatë etj. Ndonëse të dhunshëm, me djegie dhe me thyerje, Macron e di që në protestë është populli i tij dhe është turp të vizitosh policët e plagosur apo të presësh në zyrë policët që përballen me popullin e tij dhe me popullin e tyre.

Në vitin 2017, në Hamburg u mbajt takimi i G20-tës. Në qytet u zhvilluan demonstrata të fuqishme. U plagosën rreth 75 policë dhe mbi 100 demonstrues. Kancelarja Merkel nuk shkoi të vizitonte policët në spital. T’i priste në zyrë as që bëhet fjalë. Populli i saj, ai gjerman ishte në një demostratë legjitime. Është e papranueshme për kancelaren të vizitojë 75 policët e plagosur përballë popullit të saj. Dhe policët nuk ishin plagosur me kapsollë nga gishtat, por kishin thyerje në kokë, këmbë, etj nga gurët dhe shishet Molotov.

Po ashtu në Këln në 2017, gjatë një proteste të mbështetësve të partisë së ekstremit AFD u plagos rëndë një polic dhe më lehtë reth 20 të tjerë. Protesta qe e dhunshme dhe pati shumë të plagosur edhe nga protestuesit. As që mund t’i shkonte ndërmend kancelares të shkonte në spital dhe të takonte policin e plagosur, i cili rrezikonte jetën (nuk po flasim këtu për kryetarin e bashkisë së Këlnit, siç bën ky i Tiranës,  se do ishte tepër).

Në prill të 2016, në Napoli u zhvillua një protestë e dhunshme kundër kryeministrit Renzi. U plagos rëndë një polic dhe më lehtë shumë të tjerë. Sigurisht që Renzi, megjithë zellin e madh propagandistik që kishte, nuk mund të vizitonte në spital policin apo ta priste në zyrë. Është e pamendueshme.

Në samitin G8-tës, në Xhenova në qershor 2001, u mbajt ndoshta demostrata më e dhunshme e dekadave të fundit. Pati të plagosur, por edhe të vrarë . Jo plagosje nga gishtat. Kryeminstri Berluskoni nuk vizitoi asnjë polic në spital, nuk priti asnjë polic në zyrë. As që mund ta mendonte. Ishte një protestë e popullit të tij dhe kaq. Detyra e tij dhe e policisë është të ruajë popullin dhe rendin.

Në 2011, në Londër shpërtheu një protestë e dhunshme që nisi në Totenham pas një vrasje që kreu policia. Protesta u shoqërua me vjedhje, djegie, plagosje. U plagosën policë dhe protestues. Kryeministri Cameron nuk vizitoi asnjë polic dhe nuk priti në zyrë asnjë polic. Dhe ata nuk u plagosën nga gishtat.

Kur vriten ushtarë në luftë, në Afgansitan, në Irak, në Siri etj, kryeminstri apo presidenti i nderon ata. Kur plagosen në luftë po ashtu i pret, i viziton në spital, iu jep tituj dhe medalje etj.

Edhe policët kur plagosen në luftë me krimin, me terrorin, në përpjekje humanitare si rrënimi nga tërmetet, nga vullkani, nga tsunami, nga zjarri nderohen, vizitohen në spital dhe priten në zyrë.

Kështu, kur policët u plagosën në përpjekje me terroristët në Champs Ellysee në vitin 2015, presidenti Hollande shkoi dhe vizitoi në spitalin George Pompidu së bashku me kryeministrin Cazeneuve policin e plagosur.. Ndonëse i plagosur në përballje me terroristët,  Hollande nuk bëri nga këto skenat me ERTV apo me përqafime groteske si kryeministri ynë. Thjesht e falenderoi për nderin ndaj vendit.  Nuk është presidenti qendra, por polici.

Presidenti Trump së bashku me bashkëshorten vizitoi sherifin e plagosur pas aktit terrorist në sinagogën në Pittsburg pak muaj më parë. Ai e falenderoi për kurajon dhe tha se Amerika do ta fitojë këtë luftë.

Presidenti Obama vizitoi një polic të plagosur rëndë për shkaqe raciste në një përpjekje me disa kriminelë. Ai shkoi në spital, së bashku me bashkëshorten.

Megjithatë Trump, Obama apo edhe ata më herët Bush, Klinton, Reagan, Nixon etj  nuk kanë vizitur kurrë ndonjëherë policë të plagosur në demostrata.

Kur një polic dëmtohet apo plagoset në demostrata, edhe kur plas kapsolla dhe dëmtohen gishtat, ai duhet të mjekohet, shteti duhet të bëjë çmos që ai të shërohet. Të njëjtën gjë shteti e bën edhe për protestuesit dhe kaq. Nuk ka asgjë më shumë.

Ndërsa kryeminsitri Rama, i shokuar ndoshta nga rënia e plotë e fasadës, ndoshta nga shfaqja në sfond e fundit, e trajtoi policen Ina Nuka sikur ajo të ishte plagosur rëndë në luftë me trafikantët dhe kriminelët apo sikur të ishte përballur me armiqtë e Shqipërisë dhe të botës. Rama, duke e takuar dy herë dhe duke folur për të disa herë  e trajtoi siç nuk trajtoi presidenti Obama as Gjeneralin Mc Raven që asgjësoi Bin Laden apo presidenti Bush gjeneralin Tommy Franks që rrëzoi për dy javë talebanët. Në një farë mënyre, Rama me sjelljen e tij trajtoi si armiq dhe si kriminelë popullin e tij, banorët e Astirit, protestuesit. Kjo është ndoshta lufta e vërtetë e qeverisë. Lufta e vetme që i ka mbetur. Mbetet të shihen vetëm mjetet që do të përdorë.

Të fundit