Rama: Projektligji për mbrojtjen civile i domosdoshëm, tani do ketë plane për emergjencat

Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektligjit për mbrojtjen civile deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një bazë ligjore, në mënyrë që të mund të menaxhojë me sa më shumë efikasitet rastet emergjente.

Kreu i ekzekutivit shtoi se tani mbrojtja civile ka kaluar në një nivel tjetër. Provat i kemi pasur përpara syve.

“Kemi parë reagimin e shtetit në kushtet emergjente të menjëhershëm.

Pa e ekzagjeruar, institucionet përgjegjëse meritojnë një falënderim të posaçëm për mundësimin e një tranzicioni të kësaj strukture jo të lehtë. Kemi pasur rezultate befasuese në realizmin këtij transformimi.

Nuk diskutohet që pavarësisht reagimit të menjëhershëm të shtetit sa i përket emergjencave, duhet që të ketë një bazë ligjore që të mund rregullojë këtë proces.”, tha Rama.

Rama shtoi se tani Shqipëria ka një strategji kombëtare për reduktimin e riskut.

“Sot mund të themi që kemi një bazë të re ligjore, të hartuar të gatshme për miratim pas diskutimeve të nevojshme përfundimtare, me një strategji kombëtarë për reduktimin e riskut.

Sfida mbetet e përditshme jo në momentin kur emergjenca shfaqet, por si përpjekje e vazhdueshme për parandalimin.

Planet e emergjencave tani do të jenë të detyrueshme, edhe për subjektet shtetërore edhe për ato private. Nëse nuk zbatohet do të ketë sanksione për çdo subjekt.

Nuk mundet që në përditshmëri t’i hapin gropën vetes e pastaj kur vjen furtuna kërkojmë shtetin të na nxjerrë nga gropa.”, përfundoi kreu i qeverisë.