Flash News

KRYESORE

Rama, Ruçi dhe Meta shprehin ngushëllimet për tragjedinë në Shkup

Rama, Ruçi dhe Meta shprehin ngushëllimet për tragjedinë

Zyrtarët e Shqipërisë kanë reaguar mbrëmjen e sotme për tragjedinë në Shkup, ku përmbysja e një autobusi i mori jetën 13 personave dhe plagosi me dhjetëra të tjerë.

Kryeministri Edi Rama: “Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik.”

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi: “Jemi të gjithë të tronditur nga ngjarja e rëndë. Ndajmë dhimbjen e thellë me familjet për humbjen  e njerëzve të dashur. Solidaritet vllazëror me qytetarët e Gostivarit.”

Presidenti Ilir Meta: “Thellësisht i prekur dhe i trishtuar nga lajmi tronditës i humbjes së jetëve në tragjedinë e autobusit në autostradën Shkup - Tetovë. Në këto momente të vështira jam shpirtërisht pranë familjeve të lënduara nga kjo tragjedi, të afërmve e miqve të viktimave dhe pranë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të prekur prej saj! Ngushëllimet e sinqerta dhe solidaritet vëllazëror! Urim të sinqertë për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit!”

Autobusi i mbushur me pasagjerë po udhëtonte në autostradën Shkup-Tetovë kur doli nga rruga. Dyshohet se shkak është bërë plasja e gomës, çka ka sjellë humbjen e kontrollit nga shoferi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut është mbledhur mbrëmjen vonë për t’iu përgjigjur situatës dhe për t’u ardhur në ndihmë personave të plagosur.

Të fundit