Rama tregon rrugën e drejtë: Platforma e Bashkëqeverisjes, ura që lidh qytetarët me qeverinë

Kryeministri Edi Rama mendon se bashkëqeverisja nuk është slogan, po një përpjekje e mundimshme dhe e përditshme, për të thyer barrierat që për dekada janë ngritur mes qytetarit dhe zyrave të shtetit. Për këtë shërben Platforma e Bashkëqeverisjes, një mekanizëm ku qytetarët mund të zgjidhin shumë halle.

“ Për të thyer barrierën e mospërfilljes të zyrtarucit ndaj qytetarit që kërkon një dokument; barrierën e nëpërkëmbjes së qytetarit nga zyrtaruci që kërkon një rryshfet; barrierën e mohimit të së drejtës së qytetarit, prej zyrtarucit në sportel!

Platforma e Bashkëqeverisjes është një urë që na lidh mes nesh, mbi kokat e zyrtarucëve e mbi lumin e justifikimeve, zvarritjeve, refuzimeve të administratës; është një mekanizëm që na bashkon kundër të keqes së futur thellë ndër dekada të tëra, në trupin e administratës; është një hapësirë ku nga bashkimi i forcave, qytetarët dhe qeveria, fitojnë mijëra e mijëra beteja të padukshme, ku pala e qytetarëve zgjidh mijëra e mijëra halle “të vogla” dhe pala e qeverisë, identifikon burime problemesh për qytetarin, e pastron nga trupi i shtetit parazitë të fshehur nën petkun e zyrtarit.”, shkroi Rama në profilin tij në Facebook.

Kryeministri shton se bashkëqeverisja është një filozofi e re në ushtrimin e pushtetit dhe natyrshëm has shumë skepticizëm nga qytetarët e pengesa nga burokratët.

“Por kjo është një rrugë e drejtë, e mirë dhe e dobishme, prej të cilës nuk mund dhe nuk duhet të heqim dorë. Po do ta ndërtojmë me këmbëngulje të madhe e durim edhe më të e madh”, përfundoi ai.