Flash News

KRYESORE

Rama TV, rrëfimi fëminor i një Shqipërie që nuk është

Rama TV, rrëfimi fëminor i një Shqipërie që nuk

Gentian Gaba

Kur “televizioni” i Kryeministrit, ERTV, nisi të transmetonte jo vetëm aktivitetet e tij, por edhe intervista ekskluzive të drejtuesve socialistë, u fol për realizmin e një dëshire të kahershme të Ramës, por edhe për një vullnet maniakal për të kontrolluar çdo gjë. 

Sigurisht, Kryeminsitri është një njohës i mirë i komunikimit; ndoshta suksesi i tij politik fshihet më shumë në këtë talent sesa në fusha të tjera. 

Megjithatë, përtej risisë dhe përtej domethënieve të ndryshme që mund t’i jepen dëshirës për ta shndërruar ERTV-në në mjet komunikimi masiv edhe për forcën e tij politike; dritarja e Ramës mbi Shqipërinë, dhe e shqiptarëve mbi qeverinë e tij, e shfaq Kryeministrin si një Peter Pan. 

Madje mund të themi që ERTV, bashkë me përshkrimin e sukseseve historike që aty bëhen; bashkë me shpërndarjen e shkrimeve dhe reportazheve të mediave të huaja që flasin për bukuritë natyrore të Shqipërisë; bashkë me intervistat ose monologjet e ministrave; nuk është thjesht pasqyrim i vizionit të tij të vendit, por një arratisje nga ato qindar gjëra që, fatkeqësisht, për të gjithë ne shkojnë keq dhe me të cilat nuk ka guxim të përballet.  

Sindroma e Peter Pan iu përshtatet atyre që kanë karakteristikë kryesore dëshirën për një fëmijëri të përjetshme, papjekuri të dukshme psiko-emocionale; si dhe një tendencë të spikatur për t’ju larguar përgjegjësive, premtimeve dhe kritikave.

Si një Peter Pan, Kreyministri fluturon larg bashkë me djemtë e tjerë humbakë. 

Strukja në botën virtuale dhe rrëfimi i një Shqipëri që nuk ekziston, është fotografia më e pamëshirshme e kësaj inisiative. 

Larg nga kritikat e të gjitha institucioneve ndërkombëtare më me peshë, me të cilat vendi ynë ka marrëdhënie bashkëpunimi, por edhe detyrimesh.

Larg nga tërheqja e veshit që Banka Botërore i bën për cilësinë e projekteve; të paplota, të paleverdishme dhe problematike. 

Larg nga kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për PPP-të; për të cilat është thënë se janë jotransparente, të dyshimta dhe paleverdi për qytetarët. Si fëmijët, marrin borxhe, dhe i fshehin ato për të mbajtur veten në këmbë, jo ekonominë. 

Larg nga kritikat e thurura në raport-progresin e BE-së, i cili e detyron Ramën të vlerësojë rreziqet e punës së saj duke i dhënë notë ngelëse, duke e cilësuar të pamjaftueshme. 

Është e vështirë të përballesh me këto “shuplaka” të përsëritura në kohë, të cilat dëshmojnë që jo vetëm nuk ka vullnet për të korrigjuar sjelljen, por qëllimet e këtij “fëmije” që e sheh botën nga një ishull nuk përkojnë me ato të qytetarëve shqiptarë. 

 

Pra arratia në “Ishullin që nuk është”, Shqipëria e ERTV, na flet për një Ramë që ka gjetur mënyrën për të shmangur realitetin; madje ku mund të ndërtojë një botë të tijën. 

Kjo botë imagjinare plot xixa dhe fantazi, ku tok me Tigrin, Baçin, Elisën (zana krahëlehtë), Tao Taon, Lali Shiun dhe shumë e shumë të tjerë rrëfejnë për një mirëqenie galopante, shëndetësi falas, rritje të eksporteve dhe ulje të importeve.

Një ishull ku krimi dhe korrupsioni janë një “përrallë nga e kaluara”; ku Tahiri vijon të mbetet ministri më i sukseshëm i këtyre 27 vite, dhe Roshi mbyll me sukses mandatin si Kryebashkiak; bile Kombëtarja, pas triumfit “publicitar” të Baçit në FSHF dhe vizionit të tij, bëhet  pretenduese për finalen e Kampionatit Europian të futbollit.  

Një parajsë digjitale ku Kryeminsitri “qan hallet” dhe shkëmben komente hundë më hundë me qytetarin e thjeshtë. 

Është Shqipëria e ERTV, të dashur miq të jetës në “rrjet”; “ishulli i dytë djathtas, pastaj drejt deri në mëngjes” (që nganjëherë vjen në mesantë); aty ku “tik-tak” bënë vetëm krokodili që mban në bark dorën dhe orën e kapitan Grepcit. 

Sigurisht, kjo nuk është një Shqipëri për të gjithë, të paktën nuk ishte për ata 350 mijë të larguar në pesë vite, por është logu i atyre që pëlqejnë përrallat, fotografitë e ditës, “amarcord-in”, gallatat dhe arrogancën semi paternaliste. Aty ku një justifikim është gjithmonë i gatshëm, fajin e ka gjithmonë dikush tjetër dhe çdo gjë e bërë është më e mira në 27 vitet e fundit.

Një Shqipëri e bukur nga Fejsbuku, por jo nga dritarja e një aeroplani që po lë Rinasin.

Të fundit