Flash News
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Raporti i DASH për investimet e huaja në Shqipëri, reagon Meta: Tronditëse! Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga SPAK
Pas publikimit të raportit të DASH, ku theksohet se Shqipëria vijon të jetë vend i papëlqyer për investimet e huaja, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, teksa i ka cilësuar konkluzionet e DASH si tronditëse, Meta shkruan se ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.
Më tej kreu i shtetit nënvizon se në këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqëndruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Meta gjithashtu ka kujtuar edhe thirrjen publike për SPAK, për të nisur hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve.
Deklarata e plotë e Metës:
Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë.
Sipas konkluzioneve tronditëse të DASH “investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesi. Të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës”.
Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregëtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.
Edhe Banka Botërore në raportin e saj të Doing Business ka ngritur me shqetësim rritjen e barrës fiskale dhe ndryshimet e shpeshta në aktet ligjore dhe nënligjore.
Ndërsa Fondi Monetar më herët ka ngritur me shqetësim rrezikun nga rritja e numrit dhe të kostos së PPP-ve, si dhe rritjen e borxhit publik si pasojë e tyre.
Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.
Në këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqëndruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.
Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim! Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre!