Flash News

KRYESORE

Raporti i DASH, reagon ambasada amerikane: Shqipëria nuk i përmbush standardet

Raporti i DASH, reagon ambasada amerikane: Shqipëria nuk i përmbush

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten Raportin e vitit 2018 për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Ky raport i përvitshëm, këtë herë ishte fokusuar tek përpjekjet për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe e si dhe mbështetja e qeverisë në fuqizimin e tyre.

Sipas raportit të DASH, Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e dytë, ku janë përfshirë vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale, por që bëjnë përpjekje për t’i përmbushur ato.

Ditën e sotme ka reaguar ambasada amerikane në Tiranë, e cila gjithashtu ka vënë theksin se vendi ynë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit.

“Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë̈, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Kapitulli për Shqipërinë

Në kapitullin e raportit për Shqipërinë, thuhet se qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore; megjithatë, thuhet në raport, qeveria është duke bërë përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim.

Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standartet minimale:

– Qeveria vazhdon t’i ndëshkojë viktimat e trafikimit për shkeje ligjore, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që viktimat janë detyruar t’i nënshtrohen trafikimit.

– Qeveria ka raportuar më pak raste ndjekjesh penale e dënimesh dhe autoritetet vazhdojnë t’i ndjekin penalisht disa trafikantë, nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.

– Qeveria ka vonuar financimin e strehëve të sigurta të drejtuara nga OJQ-të dhe hetimet e ndjekjet penale nuk i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme, duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jenë viktimat.

– Policia, thuhet në raport, jo gjithmonë i identifikon viktimat e trafikut në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion.

Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik, thuhet në raport. Trafikantët përdorin premtime të rreme, siç janë martesa, apo vendet e punës, për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik. Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për rekrutimin e viktimave.

Fëmijët shfrytëzohen si lypës dhe për punë tregtie, si shitës ambulatorë. Ata, kryesisht fëmijët e komunitetit rom, shfrytëzohen për punë sezonale. Ka patur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar edhe në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit në mbarë Evropën, sidomos në vende si Kosova, Greqia, Italia, Belgjika, Gjermania, Zvicra, Maqedonia, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe. Sipas raporteve të Organizatave Jo-qeveritare, ka një rritje të numrit të fëmijëve shqiptarë, që i nënshtrohen punës së detyruar në Kosovë dhe Britaninë e Madhe.

Në raport thuhet gjithashtu, se në Shqipëri janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, viktima të huaja nga vendet e Evropës dhe Filipinet. Imigrantët e paligjshëm nga Azia, shpesh punësohen në familjet e kamura shqiptare, duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar. Imigrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika, e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të kaluar në Europën Perëndimore dhe ata rrezikohen nga trafikimi.

Të fundit