Raporti i Këshillit të Europës: Shqipëria nuk merr masa për largimin e kriminelëve nga ‘lojrat e fatit’

Shqipëria ka bërë progres në formcimin e kornizës ligjore për të luftuar paratë e pista dhe financimin  e terrorizmit, bën me dije një deklaratë për shtyp e Këshillit të Europës e cila i referohet një raporti të publikuar sot nga Komisioni i Ekspertëve në Evaluimin e Masave anti-Financave të dyshimta dhe Financimit të Terrorizmit.

Shqipëria është tani ‘pajtimtare’ në 5 nga 40 rekomandime dhe ‘kryesisht pajtimtare’ në 28 prej tyre. Tirana zyrtare mbetet ‘pjesërisht pajtimtare’ në pesë rekomandime dhe  ‘jo pajtimtare’ në një prej tyre.

Megithë ‘notën kaluese’ të të vënë nga deklarata e Këshillit të Europës, nëse e sheh me hollësi raportin e plotë të botuar sot, vëren se Shqipëria ende ka mangësi të shumta që lidhen kryesisht me lojrat e fatit dhe mosmarrjen e masave që elementët e inkriminuar të mos jenë aksionerë direktë ose indirektë në këtë industri.

Kështu, sipas raportit:

-kriteret për kazinotë nuk përmendin specifikisht ortakët me histori kriminale;

-nuk ka kritere të detajuara të licensimit për lojrat online;

-ka patur masa të kufizuara për ndalimin e kriminelëve apo ortakëve të tyre për të kontrolluar apo menxhuar bizneset dhe profesionet jashtë sektorit financiar;

-korniza e sanksioneve nuk ishte mjaftueshëm proporcionale dhe bindëse;

-mungesat mbeten sa kohë nuk është bërë asnjë ndryshim në lidhje me kriteret për kazinotë, të cilat të përmendin specifikisht ortakët me aktivitet kriminal dhe ortakëritë indirekte të tyre.