Flash News
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Raporti i Mueller për 'lidhjet ruse' i flet Washington-it, por edhe Tiranës
Alfred Lela
Kush ka lexuar librin 'Fear' (Frika) të gazetarit Bob Woodward, e ka marrë, para raportit final të prokurorit special Robert Mueller, një përshtypje se akuzat për 'mpleksje' të kandidatit Trump, me rusët ishin pjesë e repertorit të luftës politike.
Aty del qartë një 'përpëlitje' e sinqertë e Trumpit kur flitej për 'ndërhyrjen ruse' në favor të tij, si dhe gatishmërinë e 'avokatit presidencial' për të furnizuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm (mijëra faqe) ekpin hetues të Mueller-it.
Si ndodhi që 'rreziku rus' u fut në ligjërimin politik amerikan?
Së pari, Demokratët u gjendën të papërgatitur për atë humbje, dhe aq më pak nga një kundërshtar si Trump, të cilin e përbuznin, sa për populizmin, aq edhe për profilin e tij jopolitik dhe amatoresk. Duke marrë nga profili prej biznesmeni që është gati të bëjë çdo pakt, sa herë ai të mund të përkthehet në një përfitim material apo të atypëratyshëm, Demokratët dhe shtypi pranë tyre shfrytëzuan disa lidhje të paktta biznesi me Moskën, si dhe kontakte të dikurshme të Trumpit, familjes së tij, apo të pjesëtarëve të fushatës presidenciale të kandidatit republikan, për të ndërtuar një target i cili, jo vetëm përligjte humbjen e progresistëve, por edhe dobësonte pozitat në vazhdim të presidentit atipik.
Kthesa ishte disi e sforcuar: Partia Republikane që kishte fituar sa palë zgjedhje presidenciale duke luajtur me rrezikun rus për Amerikën, të tillë si 'Lufta e ftohtë' dhe 'Lufta e yjeve', tani portretizohej si kampi që fitonte Amerikën me 'ndihmë ruse'. Këto ngjyrime nuk kanë rëndësi në politikën e ditës, e cila ka një tjetër tempizëm dhe logjikë, që i kapërcejnë kodet e historisë.
Në fund, si për kronikën politike, e cila do të jetë histori më vonë, ka rëndësi 'shfajësimi' që ka marrë Trump nga një akuzë që, nuk do të cënonte vetëm atë personalisht, por edhe Partinë Republikane, Washington-in si qendër të politikës dhe influencës, por edhe vlerat amerikane.
Shfajësimi i Trump nga një 'juri e pavarur' jo partizane është një lajm i mirë edhe për Perëndimin, edhe pse aleancat që ky bllok vlerash përfaqëson janë zbehur me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të The Donald.
Prokurori special Mueller, duke 'zbardhur' Presidentin amerikan nga akuzat hedh dritë tjetër edhe mbi shkëmbimet e debatit politik në Tiranë. Edhe këtu është punësuar e njëjta strategji për të dëmtuar kundërshtarin politik, këtë rast opozitën, duke i hamendësuar lidhje ruse të nëndheshme. Sipas logjikës: rusët duan destabilizimin, ndërsa opozita kërkon pushtetin nëpërmjet këtij destabiliteti.
Si Demokratët në Amerikë, ashtu dhe socialistët në Tiranë, kërkojnë të përcaktojnë agjendën e komunikimit politik. E cila shpesh ndërtohet edhe për të fshehur dobësitë e atij që e fut në përdorim. Demokratët atje duhet të pranojnë se, në përzgjedhjen e kandidates Klinton, po u ofronin amerikanëve të njëjtën gjellë të establishmentit të vjetër, ndërsa socialistët se kriza në Shqipëri nuk është prodhim i opozitës, ajo vetëm sa po e interpreton atë.
Politiko.al