Raporti i OSBE i cilëson gjyqtarët të ndikuar nga vettingu, si e ‘rrëzoi’ Kolegji Zgjedhor dekretin e Metës

Ndër problematikat e shumta, raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR për zgjedhjet vendore të 30 qershorit u ndal edhe te vendimi i Kolegjit Zgjedhor.

Sipas raportit, gjyqtarët morën vendim nën presionin e vettingut.

“Disa vendime të Kolegjit Zgjedhor ngrenë shqetësim mbi aksesin efektiv në drejtësi. Konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan sipas linjave partiake. Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata ishin subjekte të procesit të vettingut, i cili mund të prek sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë në pavarësinë e tyre”, thuhet në raport.

Por si u mor ky vendim rreth një javë para zgjedhjeve të 30 qershorit

Kolegji Zgjedhor “rrëzoi” kërkesën e kreut të Partisë Uniteti Kombëtar, Idajet Beqiraj i cili kërkoi ç’regjistrim nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale.

Kolegji shqyrtoi kërkesën e Beqirajt, pasi ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organi që fillimisht nuk e pranoi kërkesën e tij.

Për këtë arsye, Beqiraj e ankimoi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, i cili në një seancë të zhvilluar me një trupë të përbërë nga Tomor Shkreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa u njoh me pretendimet e të dyja palëve.

Kryetari i Partisë Uniteti Kombëtar, tha se nuk e pranon 30 qershorin në kushtet e krizës politike duke kërkuar çregjistrimin.

“Nuk pranoj 30 qershorin në kushtet e krizës politike. Ishim të bindur se në 30 qershor do bëheshin zgjedhje. U kapëm në befasi nga Dekreti i presidentit. Kërkojmë çregjistrim nga zgjedhjet. Kolegji duhet ta zgjidhë këtë ngërç të krijuar”, deklaroi Beqiri para Kolegjit Zgjedhor.

Sipas tij, vendimi i KQZ për mos çregjistrimin e partisë së tij në koalicion me socialistët ishte i pavlefshëm.

Nga ana tjetër, juristi që përfaqësonte KQZ e cilësoi vendimin të drejtë, pasi nuk e njihte dekretin e presidentit që anulonte zgjedhjet të vlefshëm, pasi që në krye të herës KQZ e cilësoi si ‘nul’ dhe një akt individual, që nuk prodhon efekte juridike dhe si i tillë nuk zbatohet.

Në kushte të tilla, ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk e njohu indirekt dekretin e presidentit që parashikonte anulimin e zgjedhjeve vendore, ndonëse akti ka hyri në Fletoren Zyrtare.