Flash News

KRYESORE

Raporti i KLSH-së: Cilësia e dobët e ajrit, problem shqetësues për qytetet kryesore

Raporti i KLSH-së: Cilësia e dobët e ajrit, problem

Ndotja e ajrit në vendin tonë dhe cilësia e dobët e tij vazhdon të jetë një problem shqetësues, veçanërisht në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Ky është konkluzioni i raportit përfundimtar mbi cilësinë e ajrit përpiluar nga Departamenti i Auditimit të Performancës, pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili përfundoi në 30 nëntor të 2017-ës.

“Degradimi mjedisor në përgjithësi dhe përkeqësimi i cilësisë së ajrit në veçanti nuk mund të injorohet.

Ndotja e ajrit është një çështje shumë e rëndësishme sociale dhe mjedisore dhe në të njëjtën kohë është një problem kompleks, i cili parashtron sfida të shumta në aspektin e menaxhimit dhe reduktimit të substancave ndotëse”,-citohet në raportin e KLSH-së.

Në këtë të fundit theksohet se Shqipëria ka numrin më të vogël të stacioneve jo vetëm në raport me shtetet e tjera të rajonit, por renditet në fund të shteteve evropiane sa i përket raportit stacion për sipërfaqe km2.

Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 7 stacione të tilla, që monitorojnë pa ndërprerje, nga të cilat 2 për një periudhë 2 vjeçare nuk kanë qenë në gjendje pune. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit të gjitha këto stacione janë të pa akredituara, çka dëshmon qartë për nivelin e ulët të besueshmërisë së të dhënave që ato paraqesin.

Gjithashtu, një problem tjetër që konstatohet gjatë auditimit është fakti se procesi i monitorimit të cilësisë së ajrit që kryhet në Shqipëri nuk është eficient e paratë e shpenzuara në këtë proces shkojnë vetëm për pagat apo dietat e punonjësve të përfshirë në monitorim, ndërkohë që për kalibrimin e laboratorëve të stacioneve të monitorimit nuk shkon asgjë.

“Ky alokim i gabuar ose planifikim jo i mirë i nevojave për buxhet shkakton shkëputjen midis objektivit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe parave të shpenzuara për të. Edhe qytetarët nuk informohen në kohë reale lidhur me vlerat e cilësisë së ajrit”,-nënvizohet në raport.

Në këtë të fundit, më tej bëhet me dije se sistemi i inspektimit mjedisor ka një mungesë të kapaciteteve profesionale, në veçanti mungon një staf i trajnuar mirë dhe pajisjet e duhura për zbatimin e duhur të të gjithë ciklit të inspektimit mjedisor. Gjithashtu, mungon një sistem efektiv për ndjekjen penale të thyerjeve të legjislacionit mjedisor.

“Në qytetin e Tiranës për vitin 2014 dhe 2015 për të gjetur mesataren e cilësisë së ajrit urban është vepruar duke matur në 2 pika të ndryshme monitorimi për periudha vetëm disa javore me stacione të lëvizshme. Kjo, nuk mund të jetë aspak vlera reale e qytetit të Tiranës”,-thekson KLSH.

Kjo e fundit ngre alarmin se aktivitetet ndërtimore janë kontribuuesit kryesorë në përqendrimin e lartë të grimcave në ajër, i cili paraqitet në nivele të larta në të gjithë Shqipërinë e shton se masat e marra nga qeverisja qendrore dhe lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk kanë qenë efektive dhe eficiente.

Auditimi në Berat

Departamenti i Performancës së KLSH-së, në këtë auditim, ka marrë si rast studimi “Aktivitetet e karrierave sipërfaqësore në Urën Vajgurore në qarkun e Beratit”, sipas të cilit guroret apo karrierat sipërfaqësore përbëjnë një problem serioz për të gjithë komunitetin aty pranë. Nga anketimi i grupit të auditimit me banorët e zonë ka rezultuar po kështu se ata vuajnë nga një sërë sëmundjesh, të cilat edhe OBSH i lidh drejt për së drejti me efektet e ndotjes së ajrit.

Pyetjes lidhur me diagnozën sa i takon sëmundjeve ka rezultuar se një pjesë e madhe nuk ka raportuar mbi sëmundjet ndërsa disa pres tyre vuajnë nga sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, alergji dhe tumore në mushkri etj.

Gjithashtu, gjatë vizitës në terren grupi i auditimit i shoqëruar nga inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve të Qarkut Berat pa nga afër disa nga aktivitetet ku shfrytëzohen karrierat sipërfaqësore nga operatorët ekonomik, të cilët nuk kishin leje mjedisore për të vazhduar aktivitetin e tyre. Për këtë arsye janë gjobitur nga ISHMP Berat, por pavarësisht gjobës prej 500.000 lekë edhe pas një viti operatori ekonomik vazhdon aktivitetin në pritje të miratimit të lejes mjedisore nga autoritetet përkatëse. (Gazeta Shqiptare)

 

 

Të fundit