Raporti paraprak / Avokati i Popullit skanon punën e KED, tregon problematikat

Institucioni i Avokatit të Popullit (AP) ka publikuar një raport paraprak pasi ka vëzhguar veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Institucioni ka ndjekur me vëmendje zbatimin e reformës në drejtësi në përgjithësi, por edhe procedurën e krijimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përfundimi paraprak është se “interpretimet e zgjeruara (apo lejuese), për të anashkaluar disa parashikime të ligjit, nuk mund të zgjidhin problemin e një ligji tepër kompleks dhe vendimi i gjithsecilit për t’i dhënë një klauzole ligjore më shumë përparësi se një tjetre, nuk ndihmon që organet e reja që u ngritën të marrin që në fillim besimin e nevojshëm të publikut dhe aktorëve të tjerë që kanë asistuar në hartimin e reformës në drejtësi.”

Gjithashtu sipas AP “qëndrimi strikt i parashikimeve ligjore do të bënte të pamundur zbatimit e reformës, jo vetëm për shkak të një numri jo të vogël parashikimesh kondradiktore apo përjashtuese me njëra tjetrën, por edhe për shkak të afateve të vendosura në Kushtetutë e ligje, të cilat kanë rezultuar të pamundura për t’u zbatuar.”

U vu re se në kushtet kur Gjykata Kushtetuese ishte jofunksionale dhe kur dy organet e tjera (KLGJ dhe KLP) nuk ishin krijuar ende, nuk ishte e mundur të zbatohej dispozita e përcaktuar.

“Gjithashtu ka rezultuar i zgjatur edhe afati i caktuar në ligjin nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, sipas te cilit Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, do të duhej të kishte mbaruar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve, që nga momenti i dërgimit të listave me kandidatë nga organet e emërtesës, për çdo vakancë në Gjykatën Kushtetuese.”