Flash News

KRYESORE

'Raporti Priebe', që rrëzoi Gruevskin dhe kërkohet nga Basha për Shqipërinë, i SHPJEGUAR

'Raporti Priebe', që rrëzoi Gruevskin dhe kërkohet nga

Politiko.al

Raportet e BE, theksojnë ekspertë të ndryshëm të pavarur europianë dhe maqedonas, nuk arritën ta kuptojnë dhe as ta prezantojnë kolapsin e sundimit të ligjit në FYROM, tashmë e quajtur Maqedonia e Veriut. U deshën të ashtuquajturat 'bomba' të vitit 2015 që e gjithë shkalla e dështimit dhe miopisë së BE të bëhej e qartë.

'Bombat' u quajtën zbardhja e telefonatave të përgjuara ilegalisht, të cilat kishin interceptuar biseda që shpalosnin praktika korruptive të paligjshme të partisë në pushtet (VMRNO-DPMNE) të Nikola Gruevskit. Aty përfshiheshin ndërhyrje në vendimet e sistemit gjyqësor, manipulim i procesit zgjedhor, përpjekje për të kapur dhe kontrolluar median si dhe 'leje' për shërbimet e sigurisë që të mbyllnin njërin sy për 'metodat demokratike'.

'Bombat' e shtynë drejt krizës gjendjen politike në Maqedoni e cila kulmoi në vitin 2015. BE u detyrua të ndërmerrte hapa. Përveç negociatave ndërmjet aktorëve politikë në Shkup, Unioni krijoi një grup me ekspertë të pavarur, të udhëhequr nga komisioneri europian në pension, gjermani Reinhard Priebe, dhe e ngarkoi me detyrën e identifikimit të problemeve sistemtike të sundimit të ligjit në Maqedoni.

Puna pasuese u quajt më vonë 'Raporti Priebe'.

Epërsia e raportit ishte se hetimet për të u kryen nga ekspertë të pavarur, të patrazuar nga miliona kufizimet e aparatit burokratik të BE dhe, në të njëjtën kohë, fakti që grupin e ekspertëve e kishte 'marrë në punë' Bashkimi Europian i jepte kredibilitet gjetjeve të tij.

Raporti Priebe konkludoi se sektori i sigurisë (policia, shërbimet sekret etj) ishin në atë që mund të quhet 'të kapur nga shteti'.

Grupi i Priebes zbuloi gjithashtu se si probleme specifike, në fusha të ndryshme, si gjyqësori, media, zgjedhjet etj., kishin në fakt rrënjë të përbashkët. Mungesa e transparencës në çështjet publike, korrupsioni i zgjeruar politik dhe mungesa e dialogut politik konstruktiv, u rreshtuan si tre shkaktarët e krizës sistemike maqedonase.

Sipas raportit "rrethi vicioz i polarizimit, politizimit dhe frikës, i bënte mekanizamt demokratikë të paralizuar dhe çontë në 'state capture' (kapje të shtetit).

Raporti ofronte një ekstrakt të quajtur 'Prioritete të Reformave Urgjente në Maqedoni'.

Kur lexon gjetjet dhe përfundimet e 'raportit Priebe' krahasimet me Shqipërinë, pavarësisht shijes dhe animit politik, janë të forta dhe dalin në krye. Nisur nga kjo, por edhe në kërkim të një rrugëzgjidhjeje për daljen nga rrethi vicioz i krizës, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në një konferencë në Ljubjanë të Sllovenisë, hodhi idenë e një 'raporti Priebe për Shqipërinë'.

Të njëjtën tezë Basha e përsëriti edhe të enjten gjatë prezantimit të 10 prioriteve të Qeverisë Tranzitore.

Të fundit