Raportuesit e KiE mesash politikës: Reforma zgjedhore, çelësi për tejkalimin e krizës

Bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për monitorimin e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O’Reilly (Irlandë, EPP / CD), pas një vizite në Tiranë i bëjnë thirrje forcave politike që përmes dialogut të tregojnë vullnet për të tejkaluar krizën politike.

Ata dënojnë veprimin e opozitës për djegien e mandateve dhe i bëjnë thirrje maxhorancës të vijojë konsultimin me opozitën.

“Bojkotet dhe djegia e mandateve politike nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, shumica qeverisëse duhet që të mos mbetet vetëm tek fjalët për të mbështetur rolin që duhet të luajë një opozitë në një demokraci pluraliste dhe të angazhohet në dialog dhe konsultim të vërtetë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat përballet vendi“, theksuan dy bashkëraporterët.

Sipas pikëpamjes së tyre, reforma zgjedhore e pasuar nga zgjedhjet mund të jetë çelësi për tejkalimin e krizës politike.

“Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të jenë plotësisht të angazhuara në procesin e reformës zgjedhore, në mënyrë që të adresojnë mangësitë e vëna re gjatë zgjedhjeve të mëparshme, dhe – një herë e përgjithmonë – të vendosin për një kornizë për zgjedhje vërtet demokratik, të cilat kanë dakortësinë dhe besimin e të gjithë palëve politike.”

Dy bashkë-raportuesit përshëndetën e edhe Reformën në Drejtësi në lidhje me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu shprehën shqetësimin se më shumë se një vit pas fillimit të procesit, institucionet kryesore gjyqësore si Gjykatat e Larta dhe Kushtetuese, si dhe SPAK nuk janë ngritur ende për shkak të mungesës së kandidatëve të verifikuar.