Flash News

OP-ED

Reagimet e pështira për vrasjen e Xhuljetës 

Reagimet e pështira për vrasjen e Xhuljetës 

Fitim Zekthi

Kur ndodhin krime të urryera, si ai i vrasjes së vajzës 19 vjeçare Xhuljeta Çuni, shoqëria tronditet, përpiqet të kuptojë arsyet e krimeve të tilla, jeton dhimbjen dhe  hyn në një fazë reflektimi. Krime si ky janë bërë shumë të shpeshta. Pak muaj më pare, një djalë nga Mallakastra vrau një studente te dera e Fakultetit të Mjekësisë për shkak se ajo nuk donte të kishte lidhje dashurore me të. Po për shkak se gjyqtarja Fildez Hafizi nuk donte të rrinte në marrëdhënie martese me ish burrin, ky e vrau. Në Lezhë, disa kohë më pare, një djalë vrau një parukiere, po për të njëjtën arsye. Në Fier, shkurtin e vjetshëm, një djalë vrau të dashurën në makinë, sepse ajo nuk donte të ishte e lidhur me të.

Shoqëria jonë duket si e tronditur, duket sikur ndjen dhimbje, reagon me ashpërsi duke dënuar egërsisht vrasësin, kërkon dënim të rreptë etj. Në të vërtetë, shoqëria jonë nuk është një shoqëri që tronditet nga vrasje të tilla, që i përjeton vrasje të tilla me dhimbje, me indinjatë, që ndjen neveri nga akte të tilla të ndyra, për shkak se akte të tilla janë më të pamoralshmet akte që mund të bëjë njeriu. Shoqëria jonë shfaqet e tronditur dhe reagon me ashpërsi sepse, çdo kush kur dëgjon për vrasjen e Xhuljetës, Arielës, Ermirës, etj., mendon veten e tij, vajzën e tij, motrën e tij, familjen e tij.

Njerëzit e shoqërisë sonë nuk tronditen si qenie morale për faktin që një njeri, në mënyrën më të pamoralshme në botë, kërkon të zotërojë një vajzë apo një grua dhe gjasme në emër të dashurisë e vret atë. Shoqëria jonë është shkatërruar moralisht. Në qoftë se një shoqëri nuk do ta dijë për padrejtësitë që i bëhen dikujt kur e vjedhin, që i bëhen dikujt në spital, që i bëhen dikujt në gjykatë apo që i bëhen dikujt në punë, atëherë kjo shoqëri nuk ka se si të të tronditet se dikush vret një vajzë.

Te ne nuk mbahet qëndrim ndaj hajdutëve, madje ata i gjen në tryeza, në kafene, në salla mbledhjesh, si njerëz që nderohen sikur të mos ketë ndodhur gjë. Te ne nuk mbahet qëndrim kur drejtues mediash, analistë apo gazetarë, vihen turpshëm në shërbim të krimit, të bandave apo të pushtetarëve dhe marrin para e vila. Këta drejtues mediash i gjen në lokale dhe kafe si njerëz të cilët shoqëria i nderon. Te ne nuk mbahet qëndrim ndaj politikanëve që përçmojnë dhe fyejnë, ndaj politikanëve që pa asnjë biznes zotërojnë prona dhe vila. Shumë njerëz mezi presin t’i përshëndesin këta politikanë.

Te ne tradhëtia bashkëshortore nuk shihet si një gjë e shëmtuar moralisht, përkundrazi shoqëria e ka pranuar si një gjë të natyrshme. Ka njerëz që njihen publikisht si tradhtarë të grave të tyre në lagje, në qytete apo fshatra dhe lagjia, qyteti apo fshati nuk e ka fare problem. Te ne nuk mbahet qëndrim kur vjen politikani dhe të ofron para për të blerë votën, përkundrazi merren paratë dhe shitet vota. Te ne shoqëria nuk ndjen dhimbje për familjet e persekutuara nga regjimi komunist, që humbën fëmijët apo prindërit, motrat apo vëllezërit, dhe nuk e ka problem që hetues apo kriminelë të atij regjimi të nderohen apo mbajnë detyra të larta zyrtare.

Te ne shoqëria nuk ndjen dhimbje për ata që rrinë në çadra apo ata që vriten duke mbledhur plehra. Atëherë, pse kjo shoqëri paska dhimbje, ose pse kjo shoqëri u tronditka moralisht për aktin e vrasjes së Xhulietës, Arielës, Ermirës etj. Jo, shoqëria reagon vetëm si organizëm  mishtor, si trupë materiale, ajo tronditet sepse ka frikë për veten, ka frikë se Xhulieta mund të jeta vajza apo motra e secilit anëtar të shoqërisë. Kjo është shumë e pamoralshme, madje e pështirë.

Te ne organizatat e shoqërisë civile kurrë nuk u përpoqën të kuptojnë se pse vriten vajzat apo grate, por ngjarje të tilla janë parë si galeria që nxjerr ar, sepse ngjarje të tilla na bëjmë të flasim për dhunën ndaj grave dhe na bëjnë të fitojmë para.

Në pamje të parë duket sikur motivet për vrasje janë të pafundme, por në fakt motivet për vrasje janë vetëm tre. Warner Wallace, një kërkues shkencor për krimet në Colson Center, thotë se krimet motivohen nga ambicja për para, për seks dhe për pushtet. Çfarëdolloj krimi, sado i ndërlikuar thotë ai, ka domosdoshmërisht njërin nga këto motive. Dikush mund të thotë po xhelozia, inati, hakmarrja? Të gjitha këto bien domosdo në njërën nga motivet. Wallace ka marrë në analizë krime nga më të çuditshmet: grabitje me dhunë, vrasje seriale, masakrat në shkolla nga nxënësit, vrasje të dashurash etj., dhe vëren se te secila prej tyre gjendet njëri nga tre motivet, ose edhe një kombinim i tyre.

Rasti i fundit, ai i vrasjes së dhjetë nxënësve në një shkollë në Santa Fe në Texas para disa ditësh, ku 17 vjeçari Pagourtzis, të cilin e njihnin të gjithë në familje dhe lagje për të mirë, ndiqte një vajzë e cila e kishte refuzuar. Ai i kishte thënë nënës se do ta vriste në qoftë se ajo nuk do të pranonte. Vajza, Shana, madje e kishte vënë atë në siklet në klasë duke e lënduar para shokëve. Wallace thotë se këtu kemi të bëjmë edhe me joshjen seksuale, edhe me ndjekjen e pushtetit. Nxënësi që vrau kërkonte respekt nga të tjerët, që është një shembull klasik i kërkimit të pushtetit. Madje, gjatë kohës që qëlloi me armë në klasë, ai në mënyrë selektive i shmangu ata që i pëlqente.

Të njëjtat motive kanë shtyrë të vrasin edhe atë që vrau Arielën, edhe atë që vrau Xhuljetën, edhe shumë të tjerë më parë. Ata kanë qenë qenie të shkatërruara morale që udhëhiqeshin vetëm nga epshi për seks ose për pushtet, për të kontrolluar tjetrin ose të tjerët.

Të njëjtat motive (epshi për para ose seks ose pushtet) kanë shtyrë edhe të riun nga Dibra, që vrau nënë dhe babain (u grindën për paratë që kishte sjellë ai nga Anglia). Të njëjtat motive  gjenden edhe te vrasjet me sopatë apo me hanxhar të grave, edhe nga burra 70 vjeçarë, si rasti i Shkodrës pak ditë më parë.

Mediat, shoqëria civile dhe tërë shoqëria jonë përpiqet t’u gjejë shpjegime të tjera si “moment ç’ekuilibrimi, dhunë ndaj gruas, tronditje psikike.. etj”. Nuk janë as momente ç’ekuilibrimi, as tronditje psikike dhe as dhunë ndaj gruas. Është krim që kryhet nga anëtarë të një shoqërie që e ka kthyer kërkimin e parasë, kërkimin e materiales, kërkimin e seksit dhe kërkimin e pushtetit në gjithçka, në motivin e vetëm që drejton jetët e njerëzve. OJF-të qesharake dhe mediat, që as e kanë idenë se ç’po bëjnë dhe sa shumë në llum janë zhytur, duhet të përpiqen të shohin se shkatërrimi i moralit do t’i shtojë këto krime. OJF-të, drejtuesit e tyre, por edhe një pjesë e mirë e elitës kulturore dhe politike të vendit, janë kthyer vetë në ndjekësit më të zellshëm të këtyre epsheve dhe as që kanë ndonjë grimë kapacitet të kuptojnë shkaqet e vërteta të këtyre vrasjeve.

Në qoftë se shoqëria nuk do të ndërtojë një pikëpamje tjetër, që do të na ndihmojë të kuptojmë rolin e vërtetë të parasë, të seksit dhe të pushtetit, atëherë ne do të rrënohemi edhe më keq.

Të fundit