Flash News

KRYESORE

Reagon nga Elbasani Haki Çako: Luftë ndaj grupeve kriminale

Reagon nga Elbasani Haki Çako: Luftë ndaj grupeve kriminale

Prej mëngjesit të sotëm, Forcat Speciale, ato të RENEA-s si dhe të FNSH-së në bashkëpunim me strukturat lokale të policisë së Elbasanit nisën një operacion të gjerë me synim kontrollin dhe identifikimin e elementëve kriminalë.

Sipas policisë, si rezultat i operacionit, janë bllokuar disa makina luksoze, është shpallur një person në kërkim për vjedhje me armë si dhe janë kontrolluar ambiente, automjete  e persona të dyshuar.

Gjithashtu, 27 persona me precedent penal në fusha të ndryshmë janë shoqëruar për verifikim në polici. Kontrolle janë zhvilluar edhe për ngjarjen e ndodhur më datë 20.09.2017 në qytetin e Elbasanit.

Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal.

Ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”,  për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.

Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët e Elbasanit të cilët kanë përcjellë informacionet dhe shqetesimet e tyre dhe i siguron ata se Policia i ka trajtuar dhe po vazhdon ti trajtojë me shumë seriozitet e përkushtim si dhe  po vijon punën për të siguruar rendin dhe qetësinë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit në çdo cep të territorit të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ndoqi nga afër operacioni dhe u shpreh  se lufta ndaj bandave do të zhvillohet në të gjithë vendin.

“Është organizuar një operacion i gjerë në qytetin e Elbasanit që konsideron në identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave me precedentë kriminalë, në mënyrë të veçantë të atyre personave që janë pjesë e grupeve kriminale të Elbasanit.

Duke marrë shkasë edhe nga ngjarja e datës 20 shtator për identifikimin e aseteve të vendosura në mënyrë të paligjshme, në këtë kuadër shpreh gatishmërinë e Policisë së Shtetit, qeverisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për luftë pa kompromis ndaj çdo veprimtarie të organizatave apo grupeve kriminale.

Jemi të vendosur për t’i vënë përpara përgjegjësisë ligjore, për të çuar deri në fund në bashkëpunim me prokurorinë të gjithë individët që kërkojnë të sfidojnë shtetit. Nuk do të ketë operacion vetëm në qytetin e Elbasanit por në të gjitha qytetet të grupeve dhe individëve që kanë kryer veprimtari kriminale. Policia e Shtetit do të jetë prezent dhe e vendosur për të siguruar rend dhe qetësi.

Janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm njerëzish. Do të vazhdojmë të shoqërojmë të gjithë ata që janë implikuar në organizata ose veprimtari kriminale. Hetimi vazhdon,” tha Çako.

Të fundit