Flash News

KRYESORE

Referendumi/Macron i jep mbështetje Rajoyit, ‘harron’ dhunën policore ndaj qytetarëve

Referendumi/Macron i jep mbështetje Rajoyit, ‘harron’

Presidenti francez, Emmanuel Macron i shprehu shefit të qeverisë spanjolle Mariano Rajoy mbështetjen e tij për unitetin kushtetues të Spanjës, njoftoi sot Elizeja, një ditë pas referendumit për pavarësinë e Katalonjës shënuar nga dhuna policore.

Gjatë një bisede telefonike, Macron rikonfirmoi mbështetjen e tij për Rajoyn, por nuk përmendi dhunën policore që bëri shumë të plagosur të dielën në Katalonjë.

“Emmanuel Macron përmendi gjithashtu në bisedën me Rajoy propozimet e tij për të reformuar Evropën duke theksuar rëndësinë për një bashkëpunim më të ngushtë franko-spanjoll për të arritur suksesin”, sipas Elizesë.

Nga ana tjetër edhe Komisioni Evropian i ka bërë së fundmi thirrje gjithë aktorëve që të kalojnë nga konfrontimi në dialog, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë një instrument politik, por kujtoi gjithashtu se në kuadër të Kushtetutës spanjolle, vota e djeshme në Katalonjë nuk ishte ligjore.

Ndërkohë, presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont theksoi sot se një ndërmjetësim ndërkombëtar ishte i nevojshëm në krizën mes Madridit dhe rajonit, ku ai kërcënon me shpallje të pavarësisë në mënyrë të njëanshme.

“Na duhet prania e një pale të tretë, ajo duhet të jetë ndërkombëtare për të qenë efikase”, deklaroi Puigdemont në një konferencë shtypi në Barcelone, duke kërkuar vendosjen e një klime më të qetë.

Brukseli ‘lidh gjuhën’ për referendumin në Katalonjë, reagojnë vetëm dy kryeministra; një shtet i BE po ecën drejt njohjes

Të fundit