Flash News

OP-ED

Refleksion (në vend të kartolinës) për Vitin e Ri 2020

Refleksion (në vend të kartolinës) për Vitin e Ri 2020

Igli Tola

Ky fundviti që përkon edhe me ndërrimin e dekadave, shqiptarët, në të dy -anët e kufirit i gjeti përballë sfidave dhe halleve të mëdha. Përpara kemi çështje thelbësore, që do të përkufizojnë të ardhmen tonë kombëtare, ku tërmeti i para një muaji ishte veçse 'tronditja' e fundit. Më herët, përjetuam 'braktisjen' e jetës parlamentare dhe institucionale nga opozita, votime të organizuara, 'rivalizuara' dhe fituara nga vetëm njëra palë, refuzimin e rradhës nga BE për hapjen e negociatave etj. Ndërkohë, 'matanë' kufirit vëllezërit tanë, sikur mos t'u mjaftonte mos-avancimi i dialogut me fqinjët veriorë, Gjykata Speciale, njohjet e munguara nga faktori ndërkombëtar, i shtuan edhe një krizë e zgjatur për formimin e qeverisë së rradhës.

Për ironi, 2 shtetet tona që ngjajnë si dy 'pika uji' kur vjen puna te zhvillimi i zgjedhjeve dhe jetëgjatësia e qeverive, duken diametralisht larg. Teksa te ne normalisht një qeveri i mbyll 2 mandate, pavarësisht procesit elektoral përmes së cilit vjen në pushtet (që në rastin më të mirë është i kontestuar dhe mospranuar nga njëri kah), edhe në Kosovë qarkullon po e njëjta elitë e tej-vjetëruar politike që nga pas-lufta (me përjashtime të vogla), veçse rotacioni është më i shpeshtë, duke pasur shumë raste kur legjislatura nuk mbyll mandatin e plotë.

Me pak fjalë, 're të zeza' ngrihen mbi ne. E kësaj situate do t'i shkonte për shtat poezia e fillim viteve '90, e gjenialit Xhevahir Spahiu. Një poezi me pak vargje, por kuptimplotë:

Ky vit që shkoi, ish i zi

Ky vit që vjen

në mos i bardhë

të paktën qoftë gri!

'Gri-ja' si një kompromis për të filluar rrugëtimin në shtegun e duhur është vijim i shpresës sonë për të parë veten dhe vendin më mirë. Shpresë që së pari, kërkon të ndalet braktisja masive, veçanërisht nga rinia. Ata qindra mijëra që janë 'turrur', ose planifikojnë të plotësojnë llotarinë Amerikane apo 'zbarkojnë' në azil në kampet e Gjermanisë, Austrisë, Britanisë e deri Islandës, të fillojnë ta konsiderojnë si alternativë shtetin mëmë.

Zgjidhjen e rrugëdaljen nga kjo krizë shumëdimensionale, lipset mos ta kërkojmë më te politika. Ajo ka dëshmuar me kokëshkretësi ndër vite se as nuk do (s'ka vullnetin), as ka burimet (së pari ato njerëzore) dhe as do t'ia dali të zgidhë rrënjësisht këto problematika.

Teza se zgjidhja nuk është politika, qeveria (politika) mbetet problemi, – vlen shumë në këtë rast. Ndaj solucioni nuk varet nga qeveritë apo opozitat, por nga forca e shoqërisë dhe kultura qytetare, nga elitat e formuara dhe me angazhim civil, nga mendjet dhe jo nga forca, nga shtresa e mesme dhe ata që kanë vendosur që Shqipëria të jetë edhe vendi i fëmijëve të tyre  – kategori, të cilat aktualisht në Shqipëri janë pakicë, por siç treguan  ne studentët e një viti më parë, lehtësisht mund t’i bëjë shumicë fjala, integriteti dhe respekti për të vërtetat.

Në këto rrethana, forca e një shoqërie dhe përgjegjësia e njerëzve të lexuar nuk është pranimi i faktit dhe bashkëjetesa me fatin e parashkruar, por kurajo për reagim, për zë, për të paralajmëruar e për t'u dëgjuar, për të kërkuar më shumë llogaridhënie dhe transparencë, më shumë përgjegjësi dhe mjete demokratike për ndryshim.

Për këtë ndryshim fliste pesëqind vjet para epokës së re, filozofi grek Herakliti . Ai thoshte se "Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve / Në të njëjtin lumë nuk mund të lahemi dy herë’’. Jeta paraqet në vete ndryshimin e pandërprerë. Brenda një sekonde me miliona ndryshime ndodhin në një qelizë te njeriu. Ndryshimet si një proces i pandalshëm,nuk ka si ndalet, detyra jonë është të vihemi në shërbim dhe drejtim të këtyre ndryshimeve, që të marrim përgjegjësi për implikimet e mundshme, dhe jo vetëm të përballojmë pasojat (efektet) që lindin nga vendimarrja.

Ne dukshëm jetojmë në një botë që ndryshon. Fullan, një nga studiuesit më në zë të teorisë dhe praktikës së ndryshimit, shkruan: “Kjo është një botë në të cilën ndryshimi është një udhëtim ku pikëmbërritja është e panjohur, ku kërkimi i ndihmës është shenjë e forcës, ku nismat e njëkohshme nga lart-poshtë dhe poshtë-lart përzihen me njëra-tjetrën." E duke u vënë mendja, intelekti, vullneti dhe sakrifica kolektive në 'ballë' të ndryshimeve, do të arrihet të ndalet 'turravrapi' vicioz drejt 'Neverland-it'. Mos të tërhiqemi më nga 'frerët' drejt Askundit, apo drejt viseve që na kanë sorollatur për dekada me rradhë, pasi kështu 'zi e më zi' do të gjejmë. As gri, e asesi bardhësi…

 

 

 

Të fundit