“Reflekton brejtje të ndërgjegjes dhe është në depresion”/ Argumentet e vendimit për lirimin e Dokles

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë Enkeleda Hoxha argumentoi në vendimin për lirimin e ish anëtarit të bandës së Durrësit Endrit Dokle, se ai është edukuar e ndërgjegjësuar gjatë qëndrimit në qeli nga viti 2005 deri në janar 2020, e ka dëshirën që të riintegrohet në shoqëri.

Gjyqtarja pranoi lirimin me kusht të Dokles, bazuar në raportin vlerësues të Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë, për sjelljen e tij në qeli, si edhe në raportin e Zyrës së Shërbimit të Provës Krujë.

“I dënuari, për sa i përket qëndrimit ndaj veprës penale dhe viktimës, është i penduar. I dënuari nuk ka konsumuar më parë vepër tjetër penale. Gjendja fizike dhe psikologjike e të dënuarit është jo e mirë. Sjellja e tij në institucionin tonë e bazuar nga kontaktet dhe dosja e tij personale është shumë e mirë”, thuhet në raportin e Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë.

Lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, e rekomandoi edhe Zyra e Shërbimit të Provës.

“Koha e kaluar i mbyllur dhe larg familjes, e ka bërë të reflektojë shumë se pasojat e ardhura nga veprat penale në jetën e tij janë shumë të rënda dhe kurrsesi nuk e percepton ripërjetimin e një situate të tillë. Ai reflekton brejtje të ndërgjegjes për të gjitha pasojat e sjella në familje dhe jashtë saj. I dënuari ka shfaqur pendim të thellë për veprën penale, për të cilën është dënuar”.

Gjithashtu gjyqtarja Hoxha është bazuar edhe te problemet depresive të të dënuarit, babanë e tij të sëmurë dhe kontratën e punësimit të tij në një pike ndërtimi.