Flash News

OP-ED

Reforma, megjithë hilet e qosheve, vazhdon

Reforma, megjithë hilet e qosheve, vazhdon

Preç Zogaj

Organet e drejtësisë se re janë gjithnjë nën presionin e pritshmërive të larta të publikut të gjerë. Padurimi mblidhet e shtyn çdo ditë në portat e ngrehinës së re. Hë? Kur?

Duhet ta përsërisim se ajo çfarë pritet është as më shumë e as më pak sesa çuarja para togave të zeza dhe dënimi sipas ligjit i zyrtarëve të lartë e shumë të lartë që kanë kryer vepra penale. Të tjerat janë muzikë e njohur.

Duhet të përsërisim edhe tjetrën: stekën e lartë të kësaj shprese e kanë vendosur partnerët amerikanë. Ata janë arkitektët e kësaj reforme. Ata e dinë pse duhej bërë e tillë, sui generis. Ata ia dalin, ata nuk dështojnë posaqë e vendosin një gjë. Kjo është bindja, ky është “fanatizmi” shqiptar i ushqyer prej fakteve të historisë. Në të vërtetë, pa mohuar aspak rolin e rëndësishëm të  evropianëve, amerikanët kanë qenë dhe janë vendimtarë për shtyrjen përpara të reformës në drejtësi. Pa ta, reforma do të kishte ngecur me kohë si kau në brinjë, ose do të kishte dalë as mish, as peshk.

Sado e tepruar apo e pabesueshme të duket, fati i saj ka qenë dhe mbetet akoma një garë mes një fuqie botërore që destinoi energjitë adekuate për ta çuar përpara në vendin e vogël mik dhe pengesave të forta, të drejtpërdrejta dhe perfide, nga gjithë një mjedis zyrtarësh, politikanësh e personash publikë brenda vendit, me rrënjë të përhapura thellë dhe gjerë e gjatë nëpër lloj-lloj interesash dhe skemash politike, në armiqësi me sundimin e ligjit. Ky është establishmenti, i cili e ka pranuar reformën në krye të herës nga zori, me shpresë e besim se do t’ia përdredhë lozën përgjatë rrugës, kur amerikanët ta nxirrnin nga radari i përparësive për shkak të problemeve dhe ndryshimeve të vazhdueshme në administratën e tyre. Fjala është për beteja me të mëdhenjtë e globit, të cilat politikani dinak i këtyre qosheve nuk i çon nëpër mend t’i  fitojë duke u ndeshur, por duke pritur, duke  llogaritur mbi vogëlsinë e vendit, duke mbijetuar derisa vëmendja e të mëdhenjve të sfumohet.

Diçka arritën për të vonuar procesin, por si përfundim jemi këtu, në një situatë të re, ku përkrah  institucioneve tashmë të ngritura dhe atyre ende në kantier, siç është BKH-ja për shembull, ndihet andej-këndej një lëkundje me doza zhgënjimi për reformën e shpresës së madhe. A thua se vonesat e procesit e lodhën pritjen popullore. Ngjan paradoksale: Si ka mundësi që shpresa po zbehet pikërisht tani në prag të nisjes së trenit të shumëpritur? Por nuk është fare paradoksale. Ka disa  ë vërteta, të cilat përzihen me instrumentalizmin e gjysmë të vërtetave e sajimeve dhe prodhojnë në lidhjen e tyre  lëkundjen për të cilën po flasim.

Të përmendim disa. Lirimi i disa të dënuarve me burgim të përjetshëm është një prej ngjarjeve që  gjëmon si antistofa ironike e shfaqjes që parashihte të paprekshëm drejt qelive dhe jo të dënuar për jetë drejt  lirisë. Avoketërit dhe juristët mund të na mbajnë me orë duke na shpjeguar se ka procedura, ka hapësira ligjore që i mundësojnë këto lirime. Nuk bëj dot gjyqtarin këtu. Nuk them dot a ka shkelje nga gjyqtarët apo këto lirime shokuese i mundëson ligji. Ajo që mund të them me siguri është se në rrafshin e imazhit dhe besimit kjo që po ndodh është një silurim i drejtësisë së re. Përkimi në kohë i lirimit të atyre që janë dënuar përjetë nga drejtësia e mëparshme me pritshmëritë ende boshe nga drejtësia e re, përcjell përshtypjen e një sarkazme dhe hakmarrjeje me reformën. Kush ka qenë kundër saj i ka hapësirat me pash ta shfrytëzojë këtë për t’i dhënë të drejtë vetës. Përkohësisht, besoj.

Një tjetër e dhënë shkurajuese është dalja në krye të organeve të drejtësisë së re e individëve që kanë një histori jete, karriere dhe familjare të lidhur me të majtën në pushtet. Numerikisht, me sa thuhet, juristët që punojnë në sistem dhe kanë konkurruar në këto poste janë më shumë me prejardhje, lidhje apo bindje politike të majta. Për rrjedhim, të zgjedhurit në organet e drejtësisë se re do të ishin më shumë  nga shumica. Por është kaluar sensi i masës. Nëse kjo konsiderohet thjesht koincidencë, do të thoshim se është  një koincidencë e trishtë. Ligji e mundësonte shmangien në Kuvend të zgjedhjes si Inspektor i Lartë i Drejtësisë të një juristi që ka motër zonjën Englantina Gjermeni, depuetete e  PS-së, ish ministre  e qeverisë “Rama”- familje e respektuar pa padyshim, por nuk jemi duke folur për këtë.

Ramës dhe të tijve nuk do t’iu vlente për asgjë të zgjidhnin vëllezër, kunetër e baxhanakë për të  kapur drejtësinë. Mund ta bënin “me duar të pastra”, duke gjetur juristë të tjerë të çdo krahu, po aq të sigurt, që nuk kanë lidhje të natyrës nepotike me funksionarë të PS-së dhe as karrierë në këtë parti. Është vërtetë për t’u çuditur. Jo se kjo  de-natyron reformën. Siç e kam thënë edhe më parë, në instancë të fundit, falë thurjes së ligjit të ri, me të cilët do të punojnë prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e  Gjykatës së Posaçme si dhe falë mbështetjes nga afër dhe monitorimit ndërkombëtar, backgraundi politik i të zgjedhurve në organet e reja të drejtësië sfumohet si i tillë në ushtrimin e detyrës.  Kush kujton se i ka të vetët shpreson kot nëse e ka bërë veten të përgjigjet para ligjit. Atëherë pse t’u hapësh rrugën njerëzve me lidhje nepotike apo partiake? Në një vështrim disi diabolik, Ramës do t’i duhej kjo vetëm për t’u dhënë municion kundërshtarëve politikë dhe gjithë atyre që vetëm rastin presin që ta kryqëzojnë këtë reformë. Pra të duket sikur po e kap (ndërsa nuk e kap dot) me qëllim që ta diskretitojë!

Dyshime të mëdha pa përgjigje ka ngritur  gjithashtu vonesa tashmë tepër e madhe e kalimit  në veting  e një numri  kandidatësh që janë kualifikuar nga KLP për të qenë pjesë e SPAK-ut.   Veting-u sikur i ndau në ca të nënës e ca të njerkës të kualifikuarit.  Kjo ushqen dyshimin se  vonohen me qëllim.  Qeveria e ka të mundshme të lozë me afatet dhe të krijojë vonesa përmes agjencive në vartësi të saj që furnizojë me informacion Komisionin e Pavarur të  Kualifikimit.

Episode dhe spekulime që godasin shpresën te reforma ka vazhdimisht. Sajesa për ta diskretituar gjithashtu. Këtu ndërfuten legjendat urbane, të cilat i frynë si tullumbace budallallëku apo shejtanllëku vendas, sikur  SHBA janë në kaos, Trump ka halle me kundërshtarët demokratë, administrata ndjek agjendën politike dhe psikologjike të shefit. Ndaj edhe reforma në drejtësi do të ridimensionohet!  Me fjalën ridimensionim përhapësit dhe sponsorizuesit e këtyre  fjalëve nënkuptojnë përjashtimin e  zyrtarëve të lartë e shumë të lartë nga rrezja goditëse e ligjit. Thënë ndryshe, rrëzimin e reformës, e cila për ketë është bërë.

E drejta për të jetuar në iluzion nuk i mohohet askujt. Kushdo që ka menduar se SHBA është si Shqipëria, ku ai që vjen në pushtet u fut shqelmin atyre që gjen nga paraardhësi, ka pasur rast të bindet se politikat e Uashingtonit nuk ndryshojnë në funksion të luftës së brendshme politike. Me Obamën dhe pa Obamën, me Trump dhe pa Trump reforma në drejtësi mbetet një përparësi e SHBA në Shqipëri. Në mënyrë domethënëse këtë e theksoi ambasadorja e porsambërritur në Tiranë, zonja Juri Kim. Pavarësisht turbulencave, besimi te reforma s’ka përse lëkundet. Zhgënjimi le t’u mbetet atyre që duan dështimin e saj./Gazeta Liberale

Të fundit