Flash News

KRYESORE

Reforma zgjedhore, paralajmëron Gjoni: Nëse është sipërfaqësore, nuk e votoj

Reforma zgjedhore, paralajmëron Gjoni: Nëse është

Deputeti i opozitës parlamentare Ralf Gjoni, duke folur për reformën zgjedhore, u shpreh se nuk ka ndërmend ta votojë në Kuvend nëse nuk është e plotë.

Në një prononcim për mediat, Gjoni tha se në reforma elektorale tërësore është shumë e rëndësishme, në të kundërt nuk i shërben integrimit të Shqipërisë.

“Një reformë elektorale e pjesshme, sipërfaqësore dhe pa gjithë përfshirje, dhe këtu e kam fjalën për opozitën parlamentare e cila ka të drejtën e votës. Do të ishte e papranueshme dhe nuk do i shërbente integrimit të Shqipërisë”, nënvizoi Gjoni.

Ai e lidhi rëndësinë e reformës zgjedhore me hapjen e negociatave, me argumentin se është momenti që të gjitha energjitë të përqëndrohen te një vendim pozitiv.

Nuk ngurroi të përmendë as faktin se reforma mund të përdoret si alibi për ndonjë aktor politik, ndaj “nuk jemi dele”, tha deputeti, “që ta votojmë nëse nuk është e plotë”.

 “Në këtë moment të gjitha energjitë duhen përqendruar te marrja e vendimit pozitiv nga KE për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst, reforma elektorale tërësore është shumë e rëndësishme. Unë konfirmoj si deputet, por besoj se flas dhe në emër të kolegëve deputetë që kanë propozuar zyrtarisht në Kuvend ndryshimin e sistemit. Ne nuk kemi ndërmend të bëhemi dele për të votuar një reformë sipërfaqësore që mund të përdoret si alibi politike për cilindo aktor politik. Pritshmëritë për të premten janë shumë të larta. Pa gjithëpërfshirje nuk do ketë reformë në parlament”, tha Gjoni.

Kujtojmë se ditën e djeshme u zbardhën propozimet e opozitës jashtëparlamentare për financimin privat të partive në zgjedhje.

Bëhet fjalë për pesë propozime, ku ndër të tjera bie në sy se financimi privat nuk duhet të jetë më i madh se 50 % i masës së financimit, të cilin subjektet e kanë përfituar nga buxheti i shtetit, apo nuk lejohet të dhurojnë ata që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.

Të fundit