Regjisori Budina rikthehet pas karantinës në ‘Teatër’, nuk i del inati me qeverinë

Regjisori Robert Budina ka përmbushur afatin për të qëndruar në karantinë pasi rezultoi pozitiv me koronavirus. Ai i mungoi protestës së teatrit prej 2 javësh që qëndroi i izoluar.

Duke folur në ambientet e jashtme ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar, Budina përsëriti se se çështjen për infektimin e tij me koronavirus do ta ndjekë penalisht, pasi që prej fillimit shprehu dyshim se ishte e stisur.

Gjithashtu ai është ndalur edhe te çështja e Teatrit Kombëtar duke reaguar me kritika të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Do t’i shkoj deri në fund të vërtetës se me çfarë të drejte kryeministri ndërhyn në jetën personale të aktivistëve të mbrojtjes së teatrit. Nuk e di me çfarë guximi kryetari i bashkisë arriti të nxirrte planin për të filluar punimet në sheshin e teatrit. Nuk e di ku ky njeri e gjen guximin.

Kur ky kryeministër dhe kryetar Bashkie duhet të mendojnë për punonjësit e tyre që të mos i zërë koronavirusi, mendojnë të mbyllin Teatrin Kombëtar. Koronavirusin nuk e merr nëpër protesta.

Edhe unë që më nxorën me koronavirus dhe nuk e dimë si është e vërteta, rashë në kontakt me njerëz të infektuar nga spitali Infektiv dhe e mora. Ndërsa në protesta duke takuar dhjetëra apo mijëra njerëz nuk e mora.

Mbi të gjitha dëshira jonë për të luftuar për të drejtën na bën edhe më imun sa të qëndrojmë nëpër shtëpi duke rënë viktimë e një presioni psikologjik e këtij pushteti që kërkon të zhdukë vlerat më të mira të kombit”, tha Budina.