Regjistrimi i fëmijëve të emigrantëve, Kuvendi propozon ndryshime ligjore

Këtë të enjte, në Kuvend u propozua një ndryshim ligjor, me qëllim lehtësimin e procedurave të regjistrimit për fëmijët e lindur jashtë vendit. Projektligji parashikon se për fëmijët e emigrantëve, regjistrimi bëhet në gjendjen civile të vendit ku lindin dhe kur kjo është e pamundur, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare në vendin pritës.

Nisma e diskutuar në një tryezë me grupet e interesit, deputetë dhe ministra, pritet që në vijim të diskutohet në komisionet parlamentare e më tej t’i jepet drita jeshile e miratimit në parlament.

“Për një problem të madh siç është çështja e mos regjistrimit të një numri të konsiderueshëm fëmijësh arritëm në përfundimin që kjo kërkonte një zgjidhje ligjore. Gjatë kësaj periudhe është punuar në zbatim të atyre konkluzioneve që ishin arritur nga studimet e bëra, ekspertët kanë punuar dhe kanë arritur në një projekt draft për zgjidhje ligjore të kësaj çështje”, tha kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.