Flash News

KRYESORE

Reja tregon të vërtetën e Kamberit, tekniku italian "tallet" me De Biasin e Panuccin

Reja tregon të vërtetën e Kamberit, tekniku italian

Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, ka folur nga konferenca për shtyp para ndeshjeve kundër Andorrës dhe Francës. Tekniku italian ka reaguar në lidhje me listën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto sfida.

Cikalleshi - “Për Cikalleshin na vjen keq, pasi ka qenë gjithnjë prezent me ne. Gjithsesi, mendoj se kemi kontingjent të përshtatshëm përsëri. Kemi grumbulluar për herë të parë Florian Kamberin dhe kemi pritshmëri të larta. Kam nevojë që të kem kontingjent të mjaftueshëm për të bërë ndërrimet e duhura. Kemi pasur rritje në lojë dhe kjo është diçka shumë e mirë.”

Situata -  “E kuptoj situatën, por mentaliteti ynë duhet të jetë që të japim maksimumin në çdo ndeshje. Nuk dua që në ndeshjen e parë që të bjerë përqendrimi. Nëse duam të rritemi si skuadër, duhet që vëmendjen kryesore ta kemi tek Andorra, pasi po nënvlerësohet shumë. Duhet të jemi profesional në çdo moment. Problemi kryesor për mua është Andorra, pasi me Francën, stadiumi i ri dhe publiku do të bëjnë punën e tyre.”

Objektivi - “Objektivi ynë i parë është që të arrijmë maksimumin në këto dy ndeshje që kanë mbetur. Pak nga pak kemi futur lojtar të rinj si Kumbulla apo Selahi. Kemi lojtarë të tjerë që i kemi nën vëzhgim edhe pse nuk kanë debutuar. Kamberi mund të debutojë këtë herë, mbetet për t’u parë. Rinovimi i ekipit bëhet pak e nga pak. Nëse perspektiva ime do të jetë që të vazhdoj të punoj me këtë Kombëtare, dua që kjo të jetë strategjia jonë, pak e nga pak. Kemi dhe një program me ekipet e moshave, ku kemi nën vëzhgim lojtarë që kanë lindur në vitin 2001. Objektivi kryesor është ndeshja me Andorrën, më pas me Francën. Do të flas përsëri me presidentin Duka për programin dhe strategjinë. Gjithashtu, të gjithë masat që po marrim te sektori i të rinjve shpresoj të na japin frytet për të ardhmen.”

Stadiumi i ri - “Jam shumë i emocionuar, dhe jam i bindur që ndoshta edhe De Biasi apo Panucci janë pak xhelozë tani. Ndihem krenar që jam pjesë e kësaj kombëtareje. Kam një karrierë të gjatë dhe të mbushur me emocione, por ky do të jetë një emocion i ri dhe privilegj për mua. Kam ftuar gruan dhe vajzën dhe besoj do të jenë edhe ata prezent në stadium. Na jep stimul të madh që luajmë në stadiumin e ri dhe shpresoj që do të jetë një kartëvizitë për imazhin e Shqipërisë ky stadium.”

Kamberi - “Çështja e Kamberit është thjesht dokumentacion. Po presim një përgjigje pozitive dhe shpresoj që në një nga ndeshjet ta aktivizoj për ta parë nga afër. Gjithsesi, kemi Seferin dhe Uzunin, i cili nuk ishte herën e fundit, pasi doja hapësirë për të rinjtë. Për Seferin nuk patëm mundësi herën e fundit që të luante për fat të keq. Kemi dy rikthime si Xhaka dhe Ndoj, i cili është kthyer nga dëmtimi. Xhakën e kemi gjithmonë pjesë të kontingjentit tonë edhe pse nuk ishte në grumbullimin e kaluar. Nga ana jonë, në prespektivën e të ardhmes duhet të shohim zëvendësime për disa lojtarë.”

Të fundit