Flash News

KRYESORE

Rënia dhe ringritja e Lulzim Bashës

Rënia dhe ringritja e Lulzim Bashës

Alfred Lela

Pas një topitjeje që ka zgjatur jo pak, kushtëzuar edhe nga rezultati i keq i zgjedhjeve të përgjithshme të para një viti, kreu i Partisë Demokratike, Basha, është hedhur në atë që ngjante si krateri i fikur i vullkanit të politikës opozitare, me hovin e dikujt që di diçka për zjarrin.

I tendosur përballë një qeverisje piroteknike, që ka zell dhe arritje kryesore përdorjen e efekteve mbresëlënëse, edhe Basha ashtu si opinioni publik u duk i hutuar dhe thuajse i gjunjëzuar. Me një komandë të beftë të instinktit apo një stratagjemë politike ai pat premtuar gjatë muajve të fundit shtatorin si muaj të ringritjes.

Shumë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, e panë me skepticizëm këtë gjasë ku përfshihej gjysma e një premtimi dhe gjysma e një iluzioni. Shefi i opozitës duke nisur me dy lëvizje jashtë skemës (ato që quhen outside the box), ka hutuar mbështetësit dhe tërbuar kundërshtarët.

Të parët, nuk i interesojnë këtëij shkrimi, ndërsa të dytët janë të zemëruar për dy arsye: Basha u ka ‘vjedhur’ skriptin që ata vetë e përdorën si mjet të komunikimit politik për muaj të gjatë. Pretendimi i shumicës së Ramës për Reformën në drejtësi ishte se do të pastronte sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, dhe se opozita nuk e donte Reformën për faktin se këta gjyqtarë ishin prodhim i saj dhe të lidhur me të. Edhe pse përfaqësuesit e opozitës e kritikonin në nivel teknik, duke iu referuar Komisionit të Venecias apo institucioneve të tjera, qeveria me sukses arriti të mbillte në opinion farën e dyshimit se opozita nuk e donte Refomën në drejtësi. Për faktin se eksponenët e saj i druheshin hetimeve të një gjyqësorir të pavarur(!!!).

Tingëllonte kontradiktore se si një gjyqësor njëmend i pavarur do të trembte ish-qeverinë dhe do të linte patrazuar qeverinë në fuqi, sidomos  duke ditur se kjo e fundit nuk gëzonte referenca, të brendshme apo të jashtme, të integritetit të lartë dhe mospërzierjes në mbrapshti.

Basha dhe opozita, ndoshta për dizajn e ndoshta për rastësi, e kapën këtë kontradiktë dhe e kthyen kokëposhtë duke e detyruar qeverinë të provonte shijen e hidhur të një basti të vënë njëanshëm. Ata u afruan duke e vënë atë bast, por një një format më radikal. Ndoshta më radikalin e mundshëm. Le të ketë një vetting të politikës, le t’i nështrohemi të gjithë, le të zhvishemi nga mandatet, le të pranojmë se prova e inkriminimit shpjegon edhe pasurinë, dhe jo e kundërta; jo çdo pasuri shpjegohet si produkt i krimit.

Sigurisht, që propozimi i opozitës shtrihet edhe në rrafsh propagandistik, megjithatë qeveria e ka të lehtë ta nxjerrë huq kundërshtarin nëse mendon se po luan bllof duke ia pranuar ofertën. Basti ka vlerë kur nuk vihet njënashëm, por nga dy palë. Jemi pikërisht në këtë pikë, kur opozita i është përgjigjur bastit të qeverisë dhe Rama me të tijtë janë tërhequr nga basti.

Kuptohet se kush del bllof.

Por, nuk është taktika që e kthen Bashën si lojtar dominues, skema  e të cilit përcakton agjendën politike që prej javës së parë të shtatorit. ‘Përcaktimi i agjendës’ është gjithçka në komunikim, por nuk e ka megjithatë peshën që i jep politikës kuptimi, parimi apo boshti i një beteje. I cili përqendrohet apo përkufizohet nga ideja se të gjithë janë të barabartë në padrejtësi. Nuk është ndarja e pushteteve që ka kuptim për njerëzit, por ndarja e padrejtësive. Që do të thotë: secili të marrë barrën dhe shpagën e të vetave. Jo më kot nëndërgjegjia popullore i është dorëzuar ‘të Plotfuqishmit’ duke pohuar “Zoti vonon, por nuk harron”, apo “në këtë botë lahen të gjitha”.

Këtë ka ofruar Basha duke kapur kështu jo qiejt, por horizontet e shpagimit që krijon çdo njeri përballë padrejtësive.

Kjo nisje nuk duhet ta relaksojë kryetarin e opozitës, duke mos i dhënë mundësinë të shohë fundin. Ndërkohë që ideja për të themeluar një ‘parlament migrator’ ishte e shkëlqyer, ajo nuk mban më pas së enjtes së tretë. Idenë e ka vjetëruar vetë fakti se opozita ka paraqitur në parlament amendamentet e paketës së ‘vettingut të politikës’. Beteja duhet rikthyer në Kuvend sepse aty është edhe trupi dhe fryma e kredos së re të opozitës. Në Komisione dhe në seanca duhet trysnuar shumica për vetingun politik. Nëse ajo ndihet në vështirësi, edhe më në vështirësi duhet vënë. Nga afër, nga para e mbrapa, në çdo minutë të kohës politike.

I njëjti kujdes duhet treguar me prezantimin e idesë dhe paketës së vetingut. Hapja e skenës për të rinjtë është gjë e mire fort, por kjo betejë duhet kryesuar nga vetë Basha, sidomos në grupin e ngritur për dekriminalizimin. Supet e rioshëve, të cilët nuk e bëjnë dot dallimin mes një deklarate për shtyp dhe një konference për shtyp (duke mos u shkulur nga mikrofonat deri në shterrim të pyetjeve), me sa duket nuk e mbajnë dot shkëmbin e kësaj të përpjete.

Opozita nuk është e dënuar si Sizifi që ta ngjisë në majë shkëmbin për ta parë si bie në fund dhe për t’ia nisur nga fillimi.

 

Të fundit