Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
“Rënia e Sinait”, vrasja e 305 njerëzve sulmi më i tmerrshëm terrorist në historinë moderne të Egjiptit. Tirana dhe Prishtina dënojnë ngjarjen
“Rënia e Sinait”, kështu e etiketojnë mediat ndërkombëtare sulmin terrorist në gadishullin e Egjiptit, i cili fakton problemin e madh që ky shtet ka me grupet e armatosura brenda tij. Vrasja e 305 njerëzve brenda xhamisë Bir Al Abed është sulmi më i tmerrshëm terrorist që ka ndodhur në historinë moderne të Egjiptit. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër ngjarjen, por dyshimet lidhen me ISIS.
Ky sulm është një goditje e madhe edhe për presidentin Abdel Fattah al-Sisi, i cili pas grushtit të shtetit në vitin 2013-të, ndaj ish-presidentit Mohamed Morsi, premtoi fundin e terrorizmit në vend. Ngjarja e djeshme tregoi se ai ka dështuar.
Tani autoritetet kërkojnë kthesë tërësore në përballjen me terroristët.
Por rënia e Sinait do të ketë impakt të jashtëzakonshëm edhe për qytetin Sharm El Sheikh, që ndodhet në këtë gadishull, dhe është një prej resorteve turistike që sjell të ardhura të mëdha për Egjiptin. Pas Pranverës Arabe, Sharm El Sheikh kishte filluar të rikthehej sërish si destinacion botëror për miliona turistë, por sulmi pritet të ndikojë negativisht.
Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe zyrtarët e Shqipërisë e Kosovës.
“Dënoj fuqishëm sulmin barbar në xhaminë Bir Al Abed në Egjipt. Ngushëllimet dhe lutjet tona janë për familjarët e viktimave. Ekstremizmi dhe terrorizmi nuk do të fitojnë kurrë”, është shprehur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
“Dënoj fuqishëm sulmin frikacak në xhaminë në veri të Sinait. Mendimet e mia shkojnë sonte tek populli egjiptian dhe viktimat muslimanë e sulmit terrorist në Egjipt”, shkruan ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Sulmin e ka dënuar edhe Partia Demokratike e Shqipërisë: “Një sulm i egër dhe po aq i ulët goditi një grup besimtarësh në Egjipt. Brutaliteti i këtij sulmi shkaktoi një numër të madh viktimash dhe të lënduarish. Partia Demokratike shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.
Ne sot u shprehim solidaritet njerëzor autoriteteve egjiptane dhe popullit të këtij vendi mik.
Terrorizmi është sot armiku më i madh global i lirisë, lufta kundër kësaj të ligë është luftë për njerëzimin dhe në mbrojtje të vlerave demokratike. Partia Demokratike mbështet çdo kontribut të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit dhe, nesër në qeverisjen e vendit, do të jetë pjesë efektive dhe besnike në krah të aleatëve tanë në çdo angazhim në këtë luftë dhe në çdo luftë në mbrojtje të lirisë.”
Cilët janë sufistët që frekuentonin xhaminë në Egjipt ku u vranë 305 besimtarë?