Reportazh/ Të bësh Rafting në Osum me ata që shpëtuan Kanionet

Për Politiko.al/ Jona Kazani

Ditën e diel, më 25 prill, në kuadër të Ditës së Tokës, Federata Shqiptare e Rafting-ut gjeti një mënyrë ekskluzive për të hapur sezonin turistik, duke ftuar njerëz të medias dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët dhanë kontribut në mbrojtjen e  një ndër pasurive më të mëdha të Shqipërisë, Kanioneve të Osumit.

Në shkurt të këtij viti u bë publik konçensioni i fshehur për ndërtimin e hidrocentraleve në këto Kanione, dokument i cili tregoi se Qeveria kishte miratuar pa zhurmë ndërtimin e dy HEC-eve, gjë që do të ishte shkatërruese për këtë pasuri natyrore të shpallur monument natyre.

Falë solidarizimit të medias dhe shumë aktivistëve, u bë e mundur mbrojtja dhe mosprekja e këtyre Kanioneve, që të japin mundësinë të shohësh një botë krejt tjetër.

Kanionet e Osumit janë më të mëdhatë e rrjetit lumor në Shqipëri, me një gjatësi rreth 13 kilometrash, gjerësi 4-35 metra dhe me një thellësi prej 70-80 metra, duke formuar kështu një ‘kompleks’ natyror që të bën të pyesësh veten se si vallë është krijuar në mënyrë aq perfekte.

Pas një dreke të mirë, Rafting është sporti i duhur për tretjen e ushqimit, për të vënë në lëvizje muskujt dhe për të shijuar ‘intimitetin’ e kësaj mrekullie  që ofron kanioni.

Federata Shqiptare e Rafting mundëson të gjitha veshjet, mjetet dhe instruksionet e nevojshme për të ushtruar këtë sport që të jep adrenalinë që nga momenti i pajisjes me tutat neoprene, xhupin termik, jelekun e shpëtimit dhe skafandrën, e deri në mbarim të aktivitetit.

Të gjithë në gomone me lopata në duar duke vozitur poshtë rrymës së lumit, për të nisur udhëtimin e aventurës përmes mureve gjigande të kanionit, të skulpturuara nga ujrat e lashta dhe bimësia e gjelbër përreth.

I parë nga lart duket mbresëlënës, por kur ndodhesh në brendësi është një ndjesi krejt tjetër, thuajse e pashpjegueshme me fjalë, saqë po t’i shikosh njerëzit me vëmendje, zor se dëgjon prej tyre diçka tjetër veç pasthirrmave habitore, në pamundësi për të shprehur bukurinë e kanionit.

Adrenalina rritet akoma më shumë në pjesën e kthesave, ku duhet të vozisësh para e mbrapa për të mbajtur ekuilibrin e gomones, në mënyrë që të mos përmbysesh nga rryma e fortë.

Është shumë freskët, shumë këndshëm, vetëm fytyra të qeshura të drejtuara lart nga ujvarat që vijnë njëra pas tjetrës, njëra më e bukur se tjetra.

Gjithsej kanioni ka tetë ujvara, ku më të spikaturat janë: Ujvara e të Dashuruarve, Ujvara e Sheqerit, Ujvara e Vellos së Nuses dhe Ujvara Shampanjë.

Jo vetëm kaq, brenda kanionit shikon të tilla monumente natyre si: Katedralja, Syri, Porta e Djallit, Krokodili, Ishulli etj.

Kaq shumë gjëra në një të vetme, surprizë pas surprize, dalin para syve gjithë ato bukuri, dhe në fund fare teksa duket edhe Syri i Kanionit, pamja ndryshon.

Uji është i qetë, sësht më nevoja të lëvizësh lopatat për bërë përpara, habitesh kur sheh që dielli nuk duket më dhe plot 3 orë të kaluara brenda kanionit duken si 3 minuta të ikura shumë shpejt.

Kjo ndodh zakonisht kur nuk do që gjërat e bukura të mbarojnë, dhe sigurisht, nuk mbarojnë kur dëgjon që të gjithë thonë, “dua të kthehem ta provoj sërish”.

Përmes bisedash shpallim se do kthehemi prapë dhe se kësaj here s’do kemi nevojë për instruktor. Ngjitemi ngadalë drejt furgonit për të lënë veshjet e lagura në dhomat e zhveshjes, dhe për t’u nisur drejt Çorovodës ku na priste një darkë e shijshme me gatime të zonës.

Darka ndërpritej  nga copëza përshkrimesh të ndjesive të përjetuara, shkëmbim numrash telefoni për të këmbyer foto dhe shumë të qeshura.

Kanioni u shpëtua, tastierat dhe zërat e protestës e kryen misionin: tashmë sezoni veror i fton të gjithë për rafting, për të treguar se vërtet ia vlen të mbrohet me mish e shpirt ky thesar natyror për Shqipërinë.