“Republika kundër Kukësit”. A favorizohet Opozita nga vendimi i Gjykatës?

Alfred Lela

Disa prej dëshmive të dhëna sot në sallën e gjyqit nga pjesëmarrësit në protestën e Rrugës së Kombit, ishin shenjë e qartë se sa popullore ishte protesta. Të rrjedhura në shtyp nga deputetët e opozitës të pranishëm në sallë, për arsye se media nuk u lejua ta pasqyronte seancën, më shumë se dëshmi fjalët e të pandehurve ishin rrëfime.

Gjyqtari qëllonte të ishte në një rol të pakërkuar, ndërkohë që kuksianët dukej sikur i rrëfeheshin një prifti, apo një autoriteti tjetër të papranishëm fizikisht. Duke qenë veriorë dhe duke patur temperamentin e gegëve, dëshmitarët i drejtoheshin një fakti moral dhe jo lëndor, i cili aty nuk përfaqësohej nga Republika apo nga togat e zeza të saj, por nga një kod i së drejtës. Quajeni Kanun po deshët.

Ndër të tjera, mund të shquaje në ato rrëfime fraza të llojit ‘nuk i godas policët sepse i kam në vend babës’, apo ‘edhe 100 vjet po të jetoj, nuk më ndalon askush për të protestuar’. Sidokudo, kishte edhe ironi drejtuar Ramës, e qepur hollë me fillin folklorik të urtisë popullore, si për shembull ‘merre tepsinë, merre timonin, veç na lër rrugën’, siç tha një prej të pandehurve në sallë.

Në gjithë çka arritëm të dëgjonim nga dëshmitë, frazat e kuksianëve nuk kishin askund patosin dhe as verbin e politikanëve të opozitës. Nuk kishte në ato ankime, rrëfime apo nota proteste as ‘oligarkë’, as ‘koncensionarë’, as ‘fundi me turp i Edi Ramës’ apo gjë të ngjashme të trumbetuar, shpesh e pa kusur, nga foltoret dhe mundësitë mediatike të opozitës.

Kjo i jep protestës pavarësi dhe shkon kundër provokacioneve të pandershme që mundohen ta deligjitimojnë një kërkesë ekonomike me anë të politizimit. Opozita, afërmendsh, është në të drejtën e saj që t’u kërkojë dhe t’u japë aleancë protestuesve në çdo cep të Shqipërisë, për çfarëdo kauze, dhe kjo është ajo që po bën.

Paradoksalisht, opozita edhe favorizohet nga verdikti i Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi që të mbante të izoluar në ‘arrest me burg’ 11 prej të ndaluarve të protestës. Sigurisht, ajo kryen një akt moral kur i del kundër këtij vendimi, duke marrë në mbrojtje ata që e pësojnë për herë të dytë, qytetarët e Kukësit por, politikisht ajo ka një avantazh. Për faktin e thjeshtë se, 11 protestues pas hekurave janë një shkëndijë jete për ‘mosbindjen civile’ format e së cilës do t’i shohim të plota të enjten.

Edhe nëse nuk ishte opozita që e ndezi zjarrin, por vetë Kryeministri, i cili ushtroi taksë ekonomike dhe arrogancë pa doganë ndaj qytetarëve të varfër të Kukësit, ajo është e përligjur për ta mbajtur të ndezur këtë zjarr. Çdo tërheqje do të ishte një vendim që bërtet për injorancë politike.

Opozita ka edhe Ramën që i fryn urëve të zjarrit të konfliktit permanent. Kryeministri është kthyer në aleatin më të madh të opozitës në dëshirën e tij sanguine për të jetuar në kufijtë xhelatinozë të provokimit, në lartësitë e stuhishme të arrogancës dhe përtej çdo mundësie të vetën politike.

Gjithë çka Rama konfiguroi me post-protestën e Kukësit e shpalos këtë, siç dita zbulon çka nata na e mban të fshehur. Arrestimi në extra time i protestuesve, duke zgjedhur orët e para të agimit, etiketat ‘barbarë’ e ‘vandalë’, të përdorura për ta, zhvendosja e gjyqit në Tiranë, rrethimi policor i qytetit mëngjesin e së mërkurës, fakti që gjyqtarja e çështjes është bashkëshortja e një prej kryepolicëve të vendit, mbajtja në ‘arrest me burg’ e 11 protestuesve, është demonstrim i një verbërie që nuk ka talentin e Borgesit, por shfaq nevojën e një bastuni të cilin ai, as nuk e kërkon dhe as e pranon.