Rexhë Meta, djali i birësuar i Rose Wilder Lane, që vuajti 27 vjet në burgjet komuniste

Historia e djalit Vuthjan në Kembrixh, pikëtakimi me amerikanen e shquar. Vuajtjet në tri diktatura; u dëbua nga gjenocidi serb nga vendlindja; u internua në kampin e përqëndrimit fashist në Itali dhe më pas, në burgjet komuniste

Nga Luljeta Progni

Kishte çaste kur dukej se fati i ndriçonte, kur dukej se midis errësirës ku e kishte përplasë fati, një shkëndijë shprese do t’i ndriçonte të ardhmen… pati çaste kur në rrugën e tij, gjeti njerëz që e deshën, por fatit tragjik nuk do të mund t’i shpëtonte kurrsesi.

E tillë është jeta e Rexhë Metës, djali i talentuar Vuthjan që mbeti jetim pa nënë, pa babë, por në rrugën e tij ndeshi amerikanen e shquar Rose Wilder Lanë, e cila do të bëhej nëna e tij. Është shqiptari i parë që jetoi madhështinë e studentit të shkëlqyer në një prej universiteteve më të famshme në botë, e atje, la gjurmën e tij përjetë, duke u përshirë në librin e artë të Kembrixhit. Rexhë Meta është njeriu që do të provonte kampet fashiste të përqëndrimit dhe në fund, ato më të tmerrshmet, burgjet komuniste për 27 vjet. Rexhë Meta është njeriu që vuajti ashpër tri diktaturat e tmerrshme të shekullit që shkoi, gjenocidin serb, kampet e përqëndrimit fashist dhe burgjet komuniste.

Rozë Wilder Lane është shkrimtarja e famshme amerikane që ka shkruar “Majat e Shalës”. Erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ishte ngarkuar nga Kryqi i Kuq Amerikan për vëzhgimin e veprimtarisë së këtij misioni në Evropë e Azi, pas Luftës së Parë Botërore. Rosë Wilder Lane ishte në Shqipëri në atë kohë, për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe troje të tjera shqiptare, që ishin larguar nga dhuna e represioni serb dhe për këtë arsye, gjendeshin si refugjatë në Shqipëri. Rozë Wilder Lane drejtonte në atë kohë organizatën e quajtur “Komiteti për mbrojtjen e Kosovës”. Në këtë kohë, shkrimtarja e shquar amerikane udhëtoi drejt veriut të Shqipërisë, në zonat më të thella, në luginën e Shalës në Dukagjin, me qëllim për të hapur një rrjet shkollash atje. Rozë u shoqërua në atë udhëtim, nga një djalë i ri që quhej Rexhë Meta. Ai ishte nga Mali i Zi, nga krahina e Vuthajve dhe kishte ardhur në Shkodër, si pjesë e atyre shqiptarëve që u dëbuan nga serbët. Pas pak kohësh në Shkodër, Rexha kishte humbur të dy prindërit, duke mbetur jetim. Në këtë moment, ishte marrë në mbrojtjen e Kryqit të Kuq Amerikan. Në grupin e fëmijëve refugjatë, Rexha dallonte për aftësitë e tij për arsimin dhe kryesisht mësimin e gjuhës angleze. Për shkak se dinte gjuhën angleze, ai u bë shoqërues i Rozë Wilder Lanë në udhëtimin e saj të famshëm në zonën e Dukagjinit, prej nga do të vinte edhe vepra e saj e famshme, “Majat e Shalës”.  Gjatë udhëtimit, Rexha e kishte shpëtuar shpesh Rozën nga rreziqe të ndryshme që vinin në ato zona aq të ashpra të veriut të Shqipërisë. Një prej tyre ishte momenti delikat, kur Roza kishte rrezikuar të binte në një greminë dhe guximi i të riut Rexhë e shpëtoi shkrimtaren. Prej këtij momenti, Roza u ndje shumë borxhlie për të riun përkthyes që e shoqëronte. Ajo i ofroi një shumë parash si shpërblim për shpëtimin e jetës, por Rexha e refuzoi menjehërë duke i thënë: “Ti vetëm shkruaj për Shqipërinë”. Roza ishte mahnitur nga sjellja e djalit të ri, që veç të tjerash, ishte shumë i varfër, por e refuzoi shumën e parave nga amerikania. Kaluan pak kohë dhe Roza vendosi ta adoptojë të riun fisnik. Nisi menjëherë shkollimin e Rexhës, duke e regjistruar fillimisht në shkollën teknike Harry Fultz. Pas rezultateve të shkëlqyera në Harry Fultz, Rexha nisi studimet në universitetin e Kembrixhit. Në vitin 1937, Rexha përundoi studimet me rezultate të shkëlqyera, atje mbrojti edhe gradën doktoraturë në ekonomi. Rexha përfundoi gjithë ciklin e studimve me medalje të artë dhe për këtë arsye, emri i tij është edhe sot në librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit.

Në kohën kur Rexha po përfundonte studimet në Kembrixh, nëna e tij që e kishte birësuar, Roze Wild Lane, vendosi të jetojë në Shqipëri përfundimisht. Rozë ndërtoi në Tiranë dy shtëpi, një për vete dhe një për Rexhën dhe familjen e tij, kohë kur Rexha po ndërtonte familje, pasi ishte martuar me Përtefe Lekën. Pas martesës, Rexha dhe Përtefja lindën vajzën e parë, e cila u pagëzua me emrin Bora Rose dhe emri u vendos nga prindrit e saj, me qëllim që të kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.

Internimi në kampin e përqëndrimit në Itali

Pikërisht në vitet 1939, kur Rexha ishte sistemuar me familjen dhe bashkë me të, ishte edhe e ëma Rozë Wild Lane, Rexha internohet në Itali si antifashist.

Në vitin 1940, internohet në kampet e përqëndrimit në Itali bashkë me familjen, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë, 1943. Sapo ishte kthyer në Shqipëri, Rexha angazhohet në Mbledhjen Themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si delegat i Maleve të Kosovës, siç quhej Plava e Gucia. Ai u angazhua në hartimin e Statutit dhe të Programit të kësaj organizate.

27 vitet në burgjet komuniste

Këtu nis kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhë Metës, i cili nuk mund të shpëtohej më nga e ëma e tij Rosë Wild Lane. Rexhë Meta ishte në listën e atyre personaliteteve që regjimi komunist i kishte piketuar për t’i zhdukur. Rexha shquhej në atë kohë, si intelektual dhe patriot i zëshëm për bashkimin e tokave shqiptare. Kjo është edhe një ndër arsyet pse ishte piketuar për t’u asgjësuar, edhe për shkak të ndërhyrjes së serbëve, që e donin atë të vdekur. Rexha u arrestua në fillim të vitit 1945 dhe u dënua me vdekje. Menjëherë pas vendimit të komunistëve, për ta shpallur armik të popullit dhe për ta asgjësuar, e ëma Rose Wild Lanë u angazhua me urgjencë dhe me ndërhyrjen e autoriteve angleze dhe amerikane, ia doli t’i shpëtoje jetën Rexhës. Regjimi pranoi të heqë dënimin me vdekje dhe vendosi dënimin me 27 vjet burg.

Roza i vazhdoi përpjekjet për ta liruar, por ishte e pamundur. Rosë Wilder Lanë i shkroi një letër Bess Truman, bashkëshortes së presidentit amerikan të asaj kohe, ku i kërkonte ndihmë për lirimin nga burgu të birit të saj, Rexhë Meta. Rosë Wilder Lanë nuk pushoi përpjekjet e saj përmes institucioneve të larta shtetërore amerikane, por beteja ishte shumë e vështirë. Erdhi një moment, kur familja e Rexhës e këshilloi shkrimtaren të tërhiqej nga përpjekjet e saj për ta liruar Rxhën, sepse sa më shumë ajo pëpiqej, aq më shumë komunsitët e shtonin presionin dhe torturat ndaj tij e familjarëve të tij.

Përtefe Leka, ishte bashkëshortja e Rexhës, me të cilën Rosë po mbante kontaktet në mënyrë të fshehtë. Gjatë kësaj kohe, Përtefe Lekës i kishin pushkatuar si antikomunist, të vëllanë, Bardhosh Danin. Këto informacione që Rosës i vinin nga Përtefja, e tmerruan shkrimtaren amerikane dhe për këtë arsye, ajo kërkoi ndihmën e miqve të saj të Kryqit të Kuq Evropian, që të mund të shpëtonin Rexhën dhe familjen e tij. Përpjekjet e Rose dhe miqve të saj nuk e mundësuan lirimin e Rexhës, i cili kreu 27 vjet në burgjet komuniste.

Në vitin 1968, kur Rose ishte e sëmurë dhe e kishte kuptuar se ishte në ditët e fundit të jetës, një ndër amanetet që ajo i la birit të saj të dyë të adoptuar në SHBA, Roger Mac Bride, ishte porosia që ai të mos i ndalte kurrë përpjekjet për t’u lidhur me vëllanë e tij në Shqipëri, Rexhë Meta.

Rose Wilder Lane ndërroi jetë në vitin 1968. Ndërkohë, Rexha vazhdonte dënimin në burgjet komuniste. Pasi i përfundoi vitet e burgut, Rexha u kthye pranë familjes. Punoi për disa kohë si roje, në një ndërmarrje në Shkodër. Ndërroi jetë në vitin 1984.

Në vitin 1991, i biri i dytë i birësuar i Rose Wilder Lane, Roger Mac Bride, mundi të lidhej me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rose. Ajo kishte shkuar në Itali si refugjate në vitin 1991, atje ku e gjeti Roger dhe e mori me vete bashkë me familjen e saj, duke e vendosur në Florida, atje ku jeton edhe sot.

*Rrëfimet janë marrë nga libri “Saga e dhimbjes” me autore Fatbardha Saraçin, botim i ISKK 2018. Historia e Rexhës është mbështetur në letrën dëshmi, që bashkëshortja e Rexhë Metës, Përtefe Leka, i ka dhënë autores së librit.