Flash News

KRYESORE

Rezultati në Durrës/ E gjithë PD-ja nuk mori as gjysmën e votave të Grida Dumës në 2015-ën

Rezultati në Durrës/ E gjithë PD-ja nuk mori as gjysmën e

Partia Demokratike këto zgjedhje në Durrës ka humbur dy mandate nga 2013-ta, duke futur në Kuvend vetëm katër deputetë.

Por rënia e PD-së në Durrës bëhet më e theksuar nëse shihen votat e zgjedhjeve lokale në 2015-ën, kur kandidate ishte Grida Duma.

Në bashkinë e Durrësit, Grida Duma arriti të merrte 42284 vota përballë kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili u shpall fitues. Dy vite më pas, në të njëjtën bashki, PD rezulton me vetëm 27415 vota (ka mbetur edhe 1 kuti për tu numëruar) çka tregon për një rrjedhje të madhe.

Nëse krahason performancën e Partisë Socialiste, diferenca me votat e Vangjush Dakos në 2015-ën nuk është e madhe. Deri më tani në bashkinë e Durrësit, PS ka marrë 48288 vota, ndërsa dy vite më parë Dako grumbulloi 56004 vota, por kjo lëvizje justifikohet me faktin se në zgjedhjet parlamentare LSI dhe PDIU nuk ishin në një koalicion me PS-në si në rastin e zgjedhjeve lokale.

Në 2015-ën, koalicioni i PD-së mori 31152 vota për këshillin bashkiak, sërish numër më i vogël votash se Grida Duma, por më i lartë se rezultati i 2017-ës.

Edhe nëse marrim të gjithë qarkun e Durrësit dhe jo vetëm bashkinë, në një kohë kur kanë mbetur 26 kuti për tu numëruar, PD ende nuk e ka thyer rezultatin e Dumës. Aktualisht në të gjithë qarkun demokratët kanë 40965 vota, rreth 1300 më pak se Duma dhe pavarësisht kutive të mbetura, PD rrezikon të mos e thyejë rezultatin e 2015-ës.

Të fundit