Riatdhesimi nga Italia, ambasada shqiptare në Romë: Lista është mbyllur, duhet të plotësoni kriteret

Pas nisjes së procesit të riatdhesimi për shtetasit shqiptarë, që mbetën jashtë vendit për shkak të koronavirusit, shumë shtetas të tjerë kanë telefonuar në përfaqësitë konsullore për t`u bërë pjesë e këtij procesi. Sipas një deklarate për mediat, të bërë nga Ambasada e Shqipërisë në Itali, thuhet se gjatë orëve të fundit ka pasur jashtëzakonisht shumë emaile dhe telefonata nga persona që duan të rikthehen në Shqipëri. Por Ambasada thotë se po punon për rikthimin në vend të vetëm personave që kjanë regjistruar deri tani në listën e ambasadës.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari, bëjnë të ditur se pas njoftimit të Qeverisë për riatdhesimin e qytetarëve të bllokuar jashtë vendit kemi marrë një numër jashtëzakonisht të madh emailash dhe telefonatash nga persona që kërkojnë të rikthehen në Shqipëri.

Sic e ritheksoi sot Kryeministri Rama ne po punojmë për rikthimin në atdhe, pas kontigjentit të parë që u kthye dje nga Italia, VETËM të personave të regjistruar në Ambasadë në listën e mbyllur deri në njoftimin e Qeverisë. E kemi të pamundur, për shkak të numrit të tyre shumë të madh dhe rrethanave të punës, t’u pergjigjemi mesazheve të qytetarëve që na kanë shkruar”, thotë ambasada.

Megjithatë, përfaqësia diplomatike shqiptare në Romë duket se nuk jep shpresë përkëdo. Sipas ambasadës, pasi do të riatdhesohen vetëm ata persona që plotësojnë kriteret e bëra publike nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ambasada dhe Konsullatat kërkojnë mirëkuptimin e të gjithëve për këtë! Nga ana tjetër ju bëjmë me dije qytetarëve të regjistruar se kriteret e prioriteteve për riatdhesimin janë ato që janë bërë publike nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Kërkojmë nga qytetarët e regjistruar të jenë të aksesueshëm nëpërmjet telefonit, ëhatsapp ose email, në pritje të njoftimeve tona”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Prej dy ditësh ka nisur procesi i riatdhesimit të shqiptarëve që kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit. Në Itali janë një numër i madh qytetarësh që po riatdhesohen.