Flash News

KRYESORE

Rifillon lufta në Siri, Turqia nis bombardimet ndaj kurdëve, SHBA kundër

Atëherë kur mendohej se lufta në Siri kishte përfunduar dhe palët do të fokusoheshin në zgjidhjen politike, gjithçka ka ndryshuar. Turqia është tashmë shteti që ka nisur bombardimet në qytetin Afrin të Sirisë, që ndodhet pranë kufirit të saj.

Shkak për këtë vendim të Ankarasë është bërë ngritja e një ushtrie me 30 mijë kurdë dhe që po financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ushtri ishte planifikuar të vendosej në kufirin me Turqinë, por presidenti Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi hyrjen në luftë nëse plani realizohej.

Turqit i frikësohen rritjes së pozitës së kurdëve brenda Sirisë, sidomos tani që kurdët në Irak kanë votuar në një referendum për shpalljen e pavarësisë. Krijimi i një shteti kurd në Lindjen e Mesme do të rrezikonte një pjesë të konsiderueshme të territorit të Turqisë që banohet nga kurdët.

Pas nisjes së bombardimeve, presidenti Erdogan sulmoi SHBA-në dhe theksoi se hyrja në luftë kundër kurdëve të Sirisë ishte paralajmëruar.

"Ne u thamë të mos fillojnë t'i sulmojnë trojet tona dhe të mos na i vështirësojnë kufijtë tanë. Nuk dëgjuan. Këtë ua kemi thënë edhe atyre që duken si aleatë tanë. U thamë se bëhet fjalë për PKK-në dhe se këta janë PYD. Këta janë të njëjtë, janë YPG (Organizatë kurde që Turqia e ka shpallur terroriste). U thamë të mos hyjnë në Rakka së bashku me terroristët. U thamë se ISIS është organizatë terroriste, prandaj të mos e mposhtin një organizatë terroriste me një tjetër, por këtë punë ta rregullojmë së bashku. Nuk dëgjuam. 'Mirë, ju dini', u thamë. Tani ne po bëjmë gjënë e nevojshme. Po e kryejmë vetë punën tonë", tha presidenti turk.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu zhvilloi bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Sipas mediave turke, biseda është realizuar me kërkesë të palës amerikane, por pa dhënë më shumë detaje.

Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) pretendojnë se operacioni në Afrin të Sirisë ndaj objektivave të PYD/PKK po zhvillohet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë dhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.

"Operacioni po realizohet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë, në kuadër të të drejtave të shtetit tonë të cilat rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën kundër terrorizmit dhe 'e drejta e vetëmbrojtjes legjitime' e cila ndodhet në nenin 51 të Konventës së OKB-së", njoftoi TSK.

Deri më tani asnjë nga kancelaritë botërore nuk ka reaguar për rinisjen e luftimeve në Siri, madje edhe Uashingtoni ka bërë deklarata nëpërmjet zyrtarëve të një rangu të ulët.

Shqipëria sërish përballë zgjedhjes; SHBA apo Turqi? Erdogan: Do ta mbysim ushtrinë e terrorit

Të fundit