Rikthehen çmimet e munguara të Letërsisë, zbulohet juria gjykuese e këtij viti  

Çmimet Kombëtare të Letërsisë Shqipe, që çdo vit akordohen nga Ministria e Kulturës do të gjykohen këtë vit nga emra të njohur në fushën e letërsisë.

Emra të njohur të fushës së letërsisë do të gjykojnë çmimet e këtij viti.

Ministrja e kulturës Elva Margariti ka rikthyer këtë vit çmimet e munguara prej vitesh në kategori të ndryshme; si çmimi më i mirë për veprën poetike, prozën e shkurtër, romanin, kritikën letrare, shkrimtarin për fëmijë, përkthimin nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe.

Të gjitha veprat e botuara gjatë vitit 2018 do të kenë mundësi të jenë pjesë e një gare që në dhjetor do të shpallë më të mirën.

Mësohet se juria e këtij edicioni përbëhet nga Brikena Çabej, Alda Bardhyli, Dhurata Shehri, Visar Zhiti dhe Riza Braholli. Kryetare e Jurisë së këtij edicioni është Alda Bardhyli.

Rreth anëtarëve të jurisë

Brikena Çabej është botuese e njohur dhe shqipëruese e autorëve të rëndësishëm në gjuhën shqipe. Ajo njihet dhe si vajza e gjuhëtarit Eqrem Çabej. Dhurata Shehri është studiuese dhe profesore e njohur e letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Histori Filologjisë. Alda Bardhyli është një emër i njohur në fushën e botimeve dhe kritikës letrare, lektore si autore e disa librave. Visar Zhiti është poet e shkrimtar i vlerësuar me çmime si brenda dhe jashtë vendit. Riza Braholli është i njohur si poet.