Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Rikthimi i “fëmijës së lumtur” 82-vjeçar. Berlusconi zgjidhet eurodeputet pavarësisht skandaleve
Pak javë më parë, mediet më të mëdha botërore u duk se po përplaseshin mes tyre se cila do të jepte më parë lajmin e “vdekjes”, pas shtrimit të Silvio Berlusconit në spital për shkak të problemeve në kraharor.
Ish-kryeministri i Italisë, sot 82 vjeç, i njohur për skandalet e shumta të festave me “drita të kuqe” dhe gafave të panumërta, shpesh edhe në skena globale, ishte në mesin e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian kur u shtrua me urgjencë për një ndërhyrje kirurgjikale në aparatin tretës.
Edhe vet Berlusconi ishte frikësuar seriozisht se kishte mbërritur në “çastet e fundit”. Kjo, sepse gjatë viteve të fundit dhe për shkak të moshës së shtyrë, Berlusconi është prekur shpesh nga probleme shëndetësore, madje i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje në zemër në vitin 2016.
Kohë pas kohe, sërish politikani shpesh i turpëruar është konsideruar si “i mbaruar”, vetëm se papritur e pakujtuar ka bërë një rikthim triumfues. Herën e fundit që ai u ngrit nga shtrati i të sëmurit, ai u rikthye në fushatën zgjedhore, që gjithsesi do ta bënte atë zyrtarisht në ditën e sotme një eurodeputet të rizgjedhur.
Rizgjedhja e tij shënon atë që ai shpreson të jetë hapi i parë drejt rrugëtimit nëpër korridorët e pushtetit, pasi u detyrua të dorëzonte karrigen e tij parlamentare për shkak të dënimit për evazion fiskal në vitin 2015. Megjithatë, për “sjellje të mirë” siç ndodh shpesh me politikanë të këtij kalibri, një gjykatë italiane hoqi vitin e kaluar masën kufizuese që e pengonte Berlusconin të mbante poste publike.
“Duke qenë emri i parë i partisë së tij “Forza Italia” në 4 nga 5 zonat elektorale në Itali, Berlusconi ishte thuajse i sigurtë që do të zgjidhej, falë edhe sistemit proporcional të përfaqësimit që përdoret në zgjedhjet evropiane”, thotë Giovanni Orsina, drejtor i shkollës së qeverisjes në Universitetin “Luiss” në Romë.
“Nëse dikush shkon të votojë për ‘Forza Italia’-n, atëherë është e mirëqenë se po votohet për Berlusconin. Votuesit e tij besojnë pikërisht tek ai personalisht dhe aspak të sigla. Sigurisht, për bazën e tij më besnike të elektoratit, ai nuk duhet të gabojë më”.
Duke folur këtë të hënë, ish-kryeministri tha se rezultatet treguan edhe njëherë se “ne jemi të domosdoshëm”.
“Pa Forza Italian, qendra e djathtë nuk mundet të fitojë. Në Bruksel do të mbetem leva e vetme kundër nacionalistëve antieuropianë. Nuk mund të bëj më shumë se ç’kam bërë deri më sot, kam dhënë maksimumin tim”, tha Berlusconi.
Ai u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011, pasi çoi thuajse përtokë ekonominë italiane, duke i hapur rrugën një qeverie teknokratësh. Vitet e fundit në postin më të lartë në vendin e tij, ai u “mbulua” nga një lumë akuzash që varionin nga korrupsioni, te historitë e ashtuquajtura “bunga bunga” me prostitutat e ftuara në rezidencën e tij në periferi të Milanos, e deri tek akuza për kryerje marrëdhëniesh seksuale me një striptiste 17-vjeçare të quajtur Ruby (vjedhësja e zemrave). Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm në Apel, pasi një grup “yjesh” të jetës së natës dëshmuan se mbrëmjet festive ishin thjesht “darka elegante”.
Pas dëbimit nga politika, ai vuajti dënimin me punë në shërbim të komunitetit në një shtëpi të moshuarish. Por, me t’iu hequr dënimi që e pengonte të garonte për poste publike vitin e kaluar, “Don Silvio” nuk e humbi mundësinë e ofruar për t’iu rikthyer skenës politike.
Ai shpalli kandidimin për zgjedhjet evropiane në janar, duke thënë se “në moshën më të dashur” të 82 viteve mbi shpinën e tij, ai ndiente ende “ndjenjën e përgjegjësisë për të udhëhequr Europën, aty ku mungon ende mendimi i thellë mbi botën”. Prej atëherë, ai ka punuar fort e përmes shakave të tij therëse ka trumbetuar politika popullore, përfshi këtu uljen e taksave apo të drejtat e kafshëve.
Gjithsesi, që nga koha kur Berlusconi la pushtetin kanë ndodhur shumë ndryshime. Një prej të cilave, më thelbësorja, partia e tij ka pësuar “hemorragji” votuesish, pasi konservatorët italianë i janë bashkuar ekstremistëve të djathtë të Lega Nord-it të udhëhequr nga Matteo Salvini, parti që sot rezulton më popullorja në Itali.
Në zgjedhjet e vitit të kaluar, partia e Berlusconit kapi 14 për qind të votave, nga 37 për qind që kishte në vitin 2008. Kishte gjithashtu një mundësi për të qenë pjesë e koalicionit mes Ligës së Veriut të ekstremit të djathtë dhe Lëvizjes “5 Yjet” antistablishment, që qeverisin çuditërisht të pashqetësuar Italinë e ditëve të sotme.
Për më tepër, ai gjendet në mesin e një gjyqi të dytë me akuzën e korruptimit të dëshmitarëve në rastin “Ruby”. Vdekja e pashpjegueshme e dëshmitares kyç të drejtësisë, Imane Fadil, në janar të këtij viti nxiti spekulimet se ajo është helmuar si pjesë e një komploti, pasi kërcënonte të dëmtonte rikthimin e bujshëm të Berlusconit. Por, ky i fundit pretendon të mos e ketë takuar kurrë atë dhe se “deklaratat e saj gjithnjë i janë dukur si trillime dhe të pakuptimta”.
Bersluconi e konsideron veten si një burrështetas i moshuar, me eksperiencë të bollshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në realitet, teksa kishte pushtetin, ai vazhdimisht solli shqetësime për Italinë në arenën ndërkombëtare, madje tmerroi eurokratët me shakatë e tij fëmijërore.
Ai sugjeronte që politikani gjerman Martin Schulz duhej të merrte rolin e një roje kampi përqëndrimi në një film me luftë, e raportohet ta ketë quajtur Angela Merkelin një “e mbipeshë që nuk mund të joshte meshkujt”. E ndërsa asokohe ai mund të ishte vërtet “hija më e keqe” për cilindo prej udhëheqësve europianë, sot në një Europë gjithnjë e më të frakturuar, Berlusconi me gafat e tij mund të jetë një “i rikthyer i mirëpritur”.
“Ai është më i miri që mund të kenë shpresuar kundërshtarët e tij”, thotë më tej Orsina. Nëse, siç me shumë gjasë do të ndodhë, do të ketë një krizë në bisedimet për koalicion pas zgjedhjeve evropiane, atëherë mund të ketë zgjedhje të reja në shtator. “Forza Italia”, në këtë rast do të mund të rikthehej në qeveri si pjesë e një koalicioni të qendrës së djathtë me Lega Nord-in e Salvinit.
Por për Michael Day, autor i “Të jesh Berlusconi: Shkëlqimi dhe rënia nga Cosa Nostra te Bunga Bunga”, rikthimi i tij do të jetë thjesht një tubim jetëshkurtër në rrugën e tij drejt refuzimit të përhershëm.
“Egoja e tij planetare do të shijojë vetëm për pak. Por zgjedhja e tij si eurodeputet nuk mund të ndryshojë shumë. Berlusconi ‘prime time’ ishte i jashtëzakonshëm, sepse ishte një miliarder në krye të një vendi të G8-s, ndërsa tani hija e tij nuk peshon më aq. Shifrat e turpshme të Forza Italias me vetëm 8.8 për qind të votave, gati një e katërta e 37 përqindëshit që kishin në vitin 2008, tregon sesi Salvini dhe e djathta ekstreme po diktojnë tashmë gjërat”.
Ndonjëherë krijues i mitit të tij, Berlusconi shpesh është thënë se ka ambicie të pashuara për t’u bërë president i Italisë, por kjo ëndërr është venitur pas votave të fundit të siguruara. Trashëgimia e tij e vërtetë ka të ngjarë të jetë korrozioni i besimit politik të shkaktuar nga korrupsioni dhe skandalet “hot” që shoqëruan karrierën e tij dhe politikën italiane, që si për ironi të fatit ka kontribuuar në rritjen e një gjenerate të re forcash populiste.