Rikthimi i vizave/ Gjoni: Kryeministri është izoluar. Çipa: Cakaj, adoleshent diplomatik

Gazetarja Edlira Gjoni e ftuar në emisionin Arena në Rtv Ora, ka thënë se kryeministri Edi Rama është fajtori kryesor që vendi ynë nuk ka bërë hapa para në procesin integrues. Duke komentuar edhe vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, Gjoni theksoi se kryeministri Rama është përgjegjës për imazhin e Shqipërisë.

“Ai nuk është kryeministri, ai është kryefajtori për përcjelljen e këtij imazhi ndaj Shqipërisë. Ai është i pari që është izoluar. Ne si popull jemi izoluar, sepse kryeministri jonë është izoluar. Duam apo nuk duam ta shikojmë, le të hidhen portalet dhe njerëzit të shajnë sa të duan, e vërteta është ky kryeministër është ftuar më pak dy vitet e fundit sesa çdo kryeministër tjetër i rajonit, në tavolina të hapura apo të mbyllura, vendi ynë që nga 2013 që kemi qenë në të njëjtin stad me Serbinë. Sot Serbia është me 14 kapituj të hapur për anëtarësim, ne akoma se kemi hapur 1. Ky nuk është faji i askujt, por i atij zotërisë që i dhamë timonin, dhe nuk na çoi askund”, u shpreh Gjoni.

Gazetari Aleksandër Çipa u shpreh se votimi në Parlamentin e Holandës për rikthimin e vizave me vendin tonë ishte i rëndë dhe se pas këtij votimi duhej tërhiqej ambasadori jonë në Holandë pasi nuk e ka kryer siç duhet detyrën. Sa i përket Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë, Çipa e konsideroi adoleshent diplomatik që nuk i përballon dot sfidat e integrimit.

“Ajo që vjen nga parlamenti holandez është një lajm tronditës, për aspiratën e integrimit tonë. Dhe administrata e diplomacisë dhe integrimit pas këtij momenti duhet të kishte bërë një mea-culpa, që nuk është bërë. Shqipëria duhej urgjentisht të tërhiqte ambasadorin, se të ngarkuarin që nuk e ka kryer detyrën. Ajo që është më e rëndë është se kjo mund të krijojë një reaksion zinxhirë. Kemi një ministër të jashtë meqë më shumë të krijon përshtypjen e adoleshentit diplomatik, me të cilin nuk mund të përjetojë dhe të përballet Shqipëria me këto sfida që janë permanente. Nuk kemi sfida të ngjashme, as në rrafshin politik”, tha Çipa.