Flash News

KRYESORE

Rikthimi i Saimir Tahirit, pse Prokuroria dhe Gjykata reaguan pikërisht në 12 dhjetor

Rikthimi i Saimir Tahirit, pse Prokuroria dhe Gjykata reaguan pikërisht

Sot u bë publik vendimi i marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për t’i ndaluar daljen jashtë vendit ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi erdhi si rezultat i kërkesës së Prokurorisë pasi ka dyshime se Tahiri mund të prish provat.

Por përse tani kjo kërkesë dhe ky vendim? Kuvendi i hapi rrugë Prokurorisë të kërkonte ndalimin e udhëtimit jashtë vendit për Tahirin që më 25 tetor, ndërsa vendimi u mor vetëm më 12 dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, ish-ministri Tahiri ka udhëtuar drejt Gjermanisë, pa sqaruar arsyet e vizitës.

Por për t’u rikthyer te 12 dhjetori, sot, në orën 18:00, përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave për prokurorin e ri të përgjithshëm të përkohshëm. Një proces që është kundërshtuar nga opozita, ndërkohë që mazhoranca po shkon drejt zgjedhjes së drejtuesit të ri vetëm me votat e saj.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se me kryeprokurorin e ri, i cili nuk do i nënshtrohet vetting-ut, do përpiqet të mbyllë dosjet e njerëzve të tij, njëri prej të cilëve është edhe Saimir Tahiri.

Në kulmin e këtyre akuzave, prokuroria, ku në krye vijon të jetë Adriatik Llalla, bën një hap të ri për çështjen Tahiri. Pas disa ditësh, Llalla nuk do të jetë më kryeprokurori i Shqipërisë dhe në vend të tij me shumë gjasa do emërohet një i besuar i mazhorancës. Politiko.al ka raportuar dje për Arta Markun, prokurore në Shkodër.

Ndërkohë, po sot, në Tiranë ka mbërritur edhe ministri i Drejtësisë së Italisë, Andrea Orlando, shtet nga ku shpërtheu skandali Tahiri. Ishin italianët ata që arrestuan bandën e Habilajve, me të cilët dyshohet se ka bashkëpunuar ish-ministri në trafikun e drogës.

Ministri Orlando është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit me homologen Etilda Gjonaj.

 

Të fundit