Flash News

KRYESORE

Rikthimi i vizave: Një shpëtim për Shqipërinë

Rikthimi i vizave: Një shpëtim për Shqipërinë

Akil Kraja

Rikthimi i vizave : një shpëtim për Shqipërinë. 

Nuk jam aspak provokues. Përkundrazi, jam realist.

Rikthimi i vizave do t’i jepte një tjetër sens fjalës “keq-qeverisje”. Shqiptarët do të shkundeshin nga besimi naiv që liritë e fituara nuk humbiten më, që regjimet autoritare nuk mund të rikthehen më.

Rikthimi i vizave do të na kufizonte sërisht lirinë e lëvizjes në BE. Por kjo nuk do të ishte e vetmja liri që është cënuar së fundmi.

Kjo veç do t'i shtohej :

- mungesës së lirisë së shtypit : sa emisione të mbyllura në këto katër vite, sa skandale të çensuruara, sa gazetarë të kërcënuar, sa pyetje të ndaluara, sa investigime të pa-filluara, sa shumë propagandë shtetërore...

- mungesës së konkurrencës së lirë : sa sipërmarrës të gjobitur pa arsye, sa tendera të fituar pa-drejtësisht, sa tregtarë matrapazë të toleruar, sa prona të tjetërsuara, sa konçesione fantazëm, sa shumë ndërhyrje shtetërore në ekonomi...

- mungesës së lirive politike : sa opozitarë të dhunuar, të kërcënuar apo të shantazhuar; sa pak llogari-dhënie ndaj votuesëve opozitarë e të zgjedhurve që ata përfaqësojnë; cfarë mohimi ndaj referendumeve e peticioneve qytetare, sot shteti vetëm ka të drejtën të ketë të drejtë...

E sa të tjera liri të përçundnuara këto katër vite të shkuara...

Liria e votës, liria e fjalës, pse jo dhe liria për të kërkuar më shumë standarte, drejtësi e shërbime më cilësore. Një liri bazike kjo për të kërkuar një jetë më të mirë.

Por të kërkosh më shumë sot të quajnë menjëherë “i politizuar”, “demokrat”, “opozitar”, “i verbër që nuk sheh që po bëhet shtet”, “injorant“ dhe “i pa-aftë”...

Kujtohuni, ishte viti 2015 ! Sapo shpërtheu skandali i 100.000 azilantëve. Rama deklaroi publikisht që azilantët janë të pa-aftë të ndërtojnë jetën këtu ndaj ata largohen.Pastaj shtoi dhe citatin “lapidar” : punë ka por s’ka specialistë, nënkupto s'ka të aftë. Shkurt, të papunët shqiptarë janë të gjithë të pa-aftë.

Në Shqipëri, nuk ke më lirinë të kërkosh një jetë më të mirë.

Ndaj dhe Shqiptarët largohen. Ashensori social është komplet i bllokuar.

Vizat do të rikthehen. E çfarë pastaj?

Një liri më pak për shqiptarët e pa-aftë.

Mbajeni mend. Rama do të thojë sërish : rikthimi i vizave do të “afektojë” vetëm ata që janë “loë-skills”, të “pa-aftit”, të “pa-punët”...

Dhe pasi mediat propagandistike të nxjerrin statistikën e suksesit rilindas të rradhës, Shqiptarëve do t’u kërkohet që t’i mundësojnë timonierit t’i japë më shumë gaz makinës së tij. Se rikthimi i vizave, do të kërkojë disa sakrifica të reja nga populli që vizat të ri-hiqen sërish.

Duhet të hiqen ca liri, që në fund liritë e rilindura të jenë më të forta, vezëlluese, vizonare...

Dhe kështu të izoluar nga Europa, me liri të cunguara, një regjim autoritar mund të rilindë sërish.

Gjithçka në mënyrën më të rëndomtë të mundshme, nën hundën tonë, krejt natyralisht.

Ashtu siç mund të humbasim lirinë e lëvizjës drejt BE-së, ashtu mund të humbasim lirinë dhe demokracinë...

J'u duket e pamundur ?

 

 

Të fundit