Flash News

KRYESORE

Rikuperimi i tokave të përmbytura, çfarë duhet të bëjnë fermerët

Rikuperimi i tokave të përmbytura, çfarë duhet të

Kulturat e fushës si gruri dhe elbi por edhe perimet e stinës pësuan dëme të konsiderueshme si pasojë e përmbytjeve të fundit.

Nën ujë përfunduan rreth 10 mijë hektarë tokë, ndërsa eksperti i politikave bujqësore, Ndoc Fasllia, thotë se do të duhen disa muaj që toka t`i rikthehet gjendjes së saj të mëparshme.

“Nga fillimi i përmbytjeve dhe deri në largimin e plotë të ujit shkojnë 7-10 ditë dhe dëmet në kulturën e grurit do të jenë të konsiderueshme. Nga eksperienca e viteve të kaluara, kur përmbytjet dhe bimët kanë qenë në ujë të paktën për 6-7 ditë, dëmet e kanë kaluar 50-60”, deklaroi ai.

Profesor Fasllia shprehet se hapi i parë që duhet të ndjekin fermerët pas tërheqjes se ujit është kullimi i tokës, por edhe pasurimi i saj me plehra organike.

“Masa të menjëhershme për kullimin e saj, largimin e ujërave dhe bërjen gati të tokës për tu mbjellë në sezonin e ardhshëm, pra në pranverën e vitit që vjen të jetë e gatshme për të mbjellë në muajin prill. Por për momentin dëmi i shkaktuar në sasi, si produkt bujqësor, është i pa rikuperueshëm”,- deklaroi Ndoc Fasllia

Në lidhje me arsyet që shkaktuan përmbytjet, Prf. Ndoc Fasllia përmend mungesën e infrastrukturës së kullimit, ndërsa apelon për kryerjen e një analize mbi efektivitetin e investimeve.

“Nuk ka kuptim që një sasi uji e cila del 20 cm mbi sipërfaqen e një ure, nuk ka arsye të shembet ura. Mund të shembet një fasadë e madhe që për shkak të presionit të ujit bie por jo një urë. Kjo do të thotë që investimet nuk kanë qenë efektive për shkak të cilësisë së tyre dhe seriozitetit edhe të institucioneve të cilat janë përgjegjëse për investimet dhe marrjen në dorëzim të tyre”,- shprehet Fasllia.

Përmbytjet e ditëve të fundit që prekën së tepërmi zonën e Vlorës dhe të Fierit, përpos banesa shkaktuan edhe dëme të konsiderueshme në prodhimet bujqësore por edhe bagëti. (Ora News)

Të fundit