Rinisja e dialogut, reagon Grenell: SHBA mbështet BE-në për takimet e korrikut, t’i hiqen vizat Kosovës

Përfaqësuesi Special i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell ka komentuar nismën e Bashkimit Evropian për rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në tryezën e dialogut.

Duke folur për Express, Grenell tha se iniciativa e BE ka mbështetjen e plotë të SHBA-së.

“Ne jemi të kënaqur t’i shohim evropianët teksa organizojnë takime më 10 dhe 12 korrik për diskutime të mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë dhe jemi mirënjohës për lidershipin e tyre. Ne shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit për Kosovën do të kompletohet në këtë takim”, u shpreh Grenell.

Emisari i Trump pret po ashtu që në këto dy takime të përmbyllet edhe procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar fort për të theksuar normalizimin ekonomik të raporteve në mes të palëve, sepse ne besojmë se është hapi i parë për këtë mosmarrëveshje afatgjatë. Dhe ne shpresojmë që evropianët ta bëjnë prioritet kryesor implementimin e marrëveshjeve për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor, të arritura më parë. Ne besojmë se këto marrëveshje janë çelësi për krijimin e vendeve të punës dhe për dhënien e shpresës tek popullata e re e rajonit”, tha emisari amerikan.

Ai shton thotë se asnjëherë s’ka besuar në një marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi brenda vitit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.