Flash News

KRYESORE

Robotët e Faik Konicës, që i gjen sërish te Telekom Albania

Robotët e Faik Konicës, që i gjen sërish te Telekom Albania

Alfred Lela

Cilin ndër ata që lexojnë nga pak, apo nga shumë, nuk e ka zënë dëshira për t'iu rikthyer Faik Konicës, këtij njohësi  të thellë të shqiptarit, sa herë Shqipëria vetë i është shfaqur skiç. Si një keqkuptim dhe në moskuptim.

Shkruan Faiku i mençur në sprovën e tij “Robotët ose Njerëzit-Makina”...

"...Puntorët shqiptarë që venë në Argjentinë marrin vizën e atij shteti në ambasadën argjentiane në një kryeqytet afër Shqipërisë. Kjo ambasadë, para se të japë vizën e saj, kërkon që legata e Shqipërisë gjithë në atë kryeqytet, të vërtetojë me një vizë të dytë në pasaportë vizën e parë të prefekturave shqipëtare. Legata jonë shkruajti menjëherë në Tiranë dhe pyeti që, a të marrë nga puntorët një pagesë të re për këtë vizë të shtuar. Pas ca kohë Ministria iu përgjigj legatës duke i porositur ta bëjë sipas rregullores për pasaportat. Legata shkrujti përsëri dhe iu lut Ministrisë të vëje re që Rregullorja nuk ka parashikuar një rast të këtillë, dhe kërkoi një urdhër.

Pa u tronditur aspak, Ministria iu përgjigj legatës duke porositur të bëjë sipas rregullores për pasaportat.

Kemi këtu, gjithë shenjat e makinës; të mosardhurit keq për puntorët, se makina s`mund të ketë dhembje; të mos kuptuarit që pyetja e re e shtruar përpara kërkonte medoemos një zgjidhje të re, se makina është e kurdisur për të mbaruar vetëm lëvizje të përcaktuara nga inxhinierët; të mos pasurit ndjenjën e përgjegjësisë, se makina kthehet dhe bën zhurmë; po nuk skuqet. Në qoftë se nëpunës të tillë s`janë “Robotë”, ju lutem të më thoni se ç`janë..."

Rashë në këtë tekst dhe e kuptova se më shërben fort për të ilustruar një ndodhi timen.

Kam mbi një muaj që kam paraqitur një kërkesë të thjeshtë fare: Kalimin e numrit të celularit nga një llogari biznesi (puna e mëparshme) nën emrin tim. Siç e dini, AMC u bë Telekom Albania. Me gjasë u gjermanizua. Kam qenë një ndër të gëzuarit për kalimin nga grekët te gjermanët. Kam edhe unë paragjykimet e mia: Grekët dhe shqiptarët i shoh si të ngjashëm, ndajnë të njëjtat huqe, ndërsa gjermanët si eficentë (punëmbaruar).

(Më rezulton, se shqiptarin nuk e ndryshoka as mielli, as pushka dhe as impulset elektronike të gjermanit. Siç mund të ketë gjasa që edhe gjermanët shqiptarizohen e bëhen pjesë e skemave zhvatëse që përtyp gjithë ditën në mendje ballkanasi.)

Gjithsesi. Një muaj pra, kam në një përpjekje për të marrë diçka që më takon. Më janë dashur 7 vizita në pikën e Telekomit te 'M. Shyri' dhe, thuajse të gjitha herët kam marrë përgjigje të ndryshme. Në fillim më kërkuan një vërtetim nga ish-puna dhe ua solla. Herën e dytë, kur u shkova me vërtetim në dorë, më thanë të prisja një javë derisa agjenti i biznesit të 'certifikonte' kalimin tim nga 'përdorues në grup' në 'personal'. Herën e tretë, kur kish kaluar java, më thanë se nuk ishte bërë ende kalimi por... "sille edhe njëherë vërtetimin nga ish-puna që ta bëjmë edhe njëherë kërkesën".

Herën e katërt: "Po, kalimi është kryer, tani po të prezantojmë me ofertat që kemi". I dëgjova dhe zgjodha njërën. Duke qenë se më nevojitet roaming për rastet kur udhëtoj jashtë vendit, ua kërkova këtë opsion. Duhet të lësh një garanci, ma pritën. Më konfirmuan edhe koston e  garancisë: 200 mijë lekët për 6 muaj dhe 500 mijë lekë për 1 vit.

I thashë punonjëses se kjo më dukej një gjë e paarsyeshme. Mosarsyeja, për atë punë, ka nisur që nga fillimi, i thashë, kur më kërkuat që unë të bëj njëqind veprime për një numër që është pronë e imja sepse e kam hapur vetë, si person privat, para 9 vitesh, dhe kalimi në një 'biznes' ka ndodhur pas dy vitesh përdorim individual. Është, shtova, si të kesh dhënë shtëpinë me qira, dhe kur të të duhet të kthehesh vetë në të, t'i japësh vërtetim qiramarrësit se është shtëpia jote.

Alogjika e dytë është që më kërkohet një 'garanci' për një 'shërbim me pagesë'. Pra, më kërkohet që të paguaj për të paguar.

Zonja nuk kishte shumë për të më thënë veç ngritjes së supeve dhe shterpëzimit të fytyrës. I thashë se nuk ishte shuma e garancisë problemi, por më shqetësonte ideja që një klienti i kërkoheshin para për t'i marrë para të tjera.

Asgjë. E pyeta se çfarë veprimi duhej të bëja që ta transferoja numrin në një kompani tjetër. Ma shërbeu përgjigjen pa shumë kënaqësi. Kur dola prej aty u lidha me një ish-kolege që tani punon në Departamentin e Marrdhënieve me Publikun në Telekom. Ornela, u tregua shumë e gjindshme. Më kontaktoi dhe madje më siguroi edhe roaming përgjatë fundajvës së Pashkës. Kur u ktheva, e telefonova dhe më drejtoi te dyqani në M. Shyr duke më thënë 'je në rregull'.

Shkova. U thashë. Të njëjtat fytyra të ngurosura. Të njëjta veprime mekanike. Nuk dimë gjë.

Telefonova Ornelën ndërkohë që isha në dyqan. Nuk mu përgjigj. Më mori më vonë pasi kisha dalë. Po i marr tani, më tha. Shko pas dreke dhe e ke të mbyllur.

Shkova. Më thanë se nuk dinin gjë. Nuk i kish marrë njeri. E dorëzova përpjekjen për të bërë paqe me Telekomin. Nuk mundja dhe nuk doja ta telefonoja sërish Ornelën për të 'ndërhyrë' për gjëra që nuk kanë nevojë për 'ndërhyrje'. U kërkova të kontrollonin nëse kisha detyrime për të shlyer dhe të më printonin faturat e dy muajve të fundit çka do më lejonte të kaloja në një kompani tjetër.

Punonjësja, një tjetër në moshë e gjatësi, vajzë, jo grua, por me të njëjtën predispozitë të surratit ku flinte pafuqia për të mos qenë robot dhe mosdëshira për të qenë njeri, ma ktheu të gjithë 'negociatën' një mujore përmbys: Nuk mund ta bësh, më tha. Agjenti i biznesit ende nuk e ka dhënë lejen që numri yt të kalojë nga biznes në privat.

Ky shkëmbim mu duk bash si replikat Rama-Basha për dialogun politik. Gjërat qenë kthyer në pikën zero.

Unë e kam fare të lehtë. Nuk e përdor më numrin aktual dhe shkoj në një kompani tjetër e hap një të ri. Pse po e shkruj atëherë këtë?

Për tri arsye:

Së pari, sepse duke rrëfyer 'pafuqinë' time, them se rrëfej pafuqinë e të gjithë atyre që janë përplasur atyre dyrve dhe gjendur në situata të tilla, në të cilat padenjësia rrotullohet rreth vetes dhe mbetet në vend. Unë jam një njeri publik dhe kur, në vend që të menaxhojnë problemin tim, menaxhojnë vërdallisjen time, cilin qind i punojnë një të panjohuri e të pazëshmi? 

Së dyti, sepse rastësisht hasa rrëfenjën e Konicës dhe nuk mund të mos habitesha nga ngjashmëria e personazheve të Telekomit dhe atyre që ai quan njerëz-robotë.

...se makina kthehet dhe bën zhurmë; po nuk skuqet".

Së treti, sepse më pëlqen të rrëfej. Edhe pse unë jam 'humbësi' në këtë histori: më kanë marrë nerva, minuta dhe ndjeshmëri, por sërish më pëqlen ta rrëfej këtë 'humbje'. Po të mos e bëja, edhe unë do të isha makina e Konicës që bën zhurmë, por nuk skuqet.

Se na duhet të skuqemi edhe për ta. Për punonjësit-robotë dhe bizneset-grabitqarë të Shqipërisë. Shqipërisë që vazhdon të mbetet koniciane.

Të fundit