Flash News

KRYESORE

Reshjet e para të borës mbulojnë qytetin e Korçës

Reshjet e para të borës mbuluan mëngjesin e sotëm qytetin e Korçës, 900 m mbi nivelin e detit, duke paralajmëruar ardhjen e stinës së magjishme të dimrit.

Gjatë natës rajoni juglindor i vendit u zbardh nga bora, ku trashësia e saj në qytet ka arritur 5 cm dhe 20 cm në zonat malore.

Reshjet e borës kanë zbardhur edhe fshatrat turistikë të Voskopojës dhe Dardhës, duke u bërë më herët një atraksion më shumë për turistët dhe vizitorët në stinën e ftohtë të dimrit, që duket po vjen para nisjes zyrtare të saj.

Në Voskopojë mësohet se trashësia e borës ka shkuar në 10 cm dhe në Dardhë deri në 30 cm. Në të dyja këto pika turistike po punohet për hedhjen e kripës në akset rrugore.

Por, bora e parë ka sjellë disa probleme në qarkulllimin e automjeteve në disa akse rrugore si: aksi Korçë-Ersekë, Korçë-Kapshticë, Korçë-Qafë Thanë si dhe Korçë-Prespë. Mësohet se policia nuk po lejon lëvizjen e automjeteve pa vendosjen e zinxhirëve, raporton Atsh.

Në disa akse rrugore ka patur probleme me qarkullimin për shkak të borës, ku më problematik ka qenë aksi Korçë-Ersekë, pasi në qafën e Qarrit trashësia e borës ka arritur deri në 20 cm dhe po punohet për pastrim e rrugës.

Të fundit