Flash News

OP-ED

“Rrethimi” i Shkodrës nga “Skënderbeu”

“Rrethimi” i Shkodrës nga “Skënderbeu”

Marsel Lela

I pagëzuar nga kryeadmiruesja brenda partisë, Elisa Spiropali, me llagapin “Skënderbe” i Shqipërisë, Edi Rama zbarkoi dje në Shkodër me një hordhi policësh, gardistësh dhe forcash speciale. Terreni ishte përgatitur që përpara me zbrazje rrugësh, autoblinda, gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe arrestime në masë të atyre që nuk e përshëndesnin ardhjen e tij.

Ramës nuk iu desh as një “qorrferman” si ai që Skënderbeu (ai i vërteti) përdori për të hyrë në Krujë. Jo, “Skënderbeu” i Rilindjes i përbuz “fermanët”. Duke filluar nga ai i presidentit për anulimin e zgjedhjeve, e deri tek ai që kishte lëshuar Bashkia e Shkodrës, ku nuk e lejonte të zhvillonte takimin elektoral, pasi aty ishte parashikuar të bëhej po atë ditë ceremonia e çeljes së sezonit turistik.

Kështu, qyteti simbol i qëndresës ndaj çdo pushtimi e regjimi u kthye dje për disa orë në një ‘luftë për territor’ mes qeverisë dhe opozitës. Një Shkodër e përçarë, një Shkodër në kaos, një Shkodër n’tym e flakë, dhe e gjitha kjo për hatër të arrogancës, kokëfortësisë dhe një mitingu elektoral.

Në një nga takimet elektorale, Rama deklaroi se të gjithë Shqipërinë e ka me vete dhe veç katër vetë ka kundër. Nëse kjo do të ishte e vërtetë dhe nëse ai do të kishte vërtetë tiparet e një “heroi kombëtar”, ashtu siç Rama realisht beson se i ka, nuk do të kishte nevojë të hynte nëpër qytetet e Shqipërisë i ‘armatosur deri në dhëmbë’.

Nëse do të ishte i tillë nuk do të pritej në çdo qytet të Shqipërisë me protesta, dhe nuk do të bëhej gur kandari i skandaleve dhe përçarjes së shqiptarëve. Një drejtues shteti i përgjegjshëm nuk e ndan popullin e tij në ‘të vetët’ dhe ‘të atyre, sepse një hero është i të gjithëve, jo i një gjysme.

Ajo gjysmë që ishte dje mes mjegullnajës së gazit lotsjellës dhe që është shumica në Shkodër, ka të drejtë të ndihet e fyer nga ‘shuplakat’ që kryeministri u dha. Ka të drejtë sepse në Shkodër dje u shkel ligji, u shkel demokracia dhe të gjitha parimet e saj.

Me vendosmërinë e tij për të shkuar drejt 30 qershorit me hir a pahir, duke bërë një fushatë elektorale unike në histori, duke shtypur nën rrotën e arrogancës këdo që i thotë të kundërtën; qofshin ata opozitarë, gazetarë apo ndërkombëtarë, Edi Rama po tregon se ai është  “hero” i një pjese të shqiptarëve që nuk e çajnë kokën për pjesën tjetër. Ajo pjesë është akoma nën përgjim.

Të fundit